Lidhje

Obama: Ekonomia amerikane shënon rritje të konsiderueshme


Presidenti Barack Obama po paraqet një pamje të favorshme të ekonomisë amerikane, duke i thënë votuesve një muaj para zgjedhjeve për në Kongres, se gjendja ekonomike e vendit është përmirësuar së tepërmi nga recesioni i thellë i gjashtë viteve më parë. Anketimet tregojnë se mbështetja për presidentin ka rënë nën nivelin 50 për qind thujase gjatë të gjithë mandatit të tij dytë presidencial dhe partia e tij mund ta humbë kontrollin e Senatit në zgjedhjet e 4 nëntorit.

Por udhëheqësi amerikan tha në një fjalim që mbajti të enjten para studentëve të Universitetit Northwestern në periferi të Çikagos, se është baza e duhur për një rritje më të madhe ekonomike:

"Dua që njerëzit ta dinë se në Amerikë janë duke ndodhur gjëra shumë të mira," - tha Presidenti.

Ai tha se ritmi i papunësisë në ekonominë më të madhe të botës ka rënë nga 10 për qind, në 6.1 për qind dhe se janë shtuar 10 milionë vende pune që pa krizës më të rëndë që përjetoi vendi në vitet 2008 dhe 2009. Ai tha se shtimi i vendeve të punës është më i madh se sa shifra e përbashkët e vendeve evropiane, Japonisë dhe ekonomive të zhvilluara.

Por presidenti pranoi se shumë amerikanë ende nuk kanë mundur ta ndjejnë avancimin ekonomik të vendit. Siç ka thënë edhe në të kaluarën, zoti Obama përsëriti se miratimi i disa masave nga Kongresi, që lidhen me përparësitë e vendit, do të përmirësonte jetën e njerëzve.

Presidenti tha, se emri i tij personalisht nuk është në fletët e votimit të nëntorit, por ai shtoi se politikat e tij janë, përfshirë një kërkesë për rritjen e pagës minimale të vendit, më tepër shpenzime në infrastrukturë dhe reforma e imigracionit - që të gjitha këto çështje të bllokuara nga ligjvënësit republikanë.

Vlerësimi i Presidentit për ekonominë amerikane vjen disa orë pasi qeveria njoftoi se numri i amerikanëve që kanë paraqitur kërkesa për asistencë papunësie ra javën e kaluar, duke shënuar nivelin më të ulët në mbi tetë vjet.

Analistët e panë raportin si një tjetër sinjal se ekonomia amerikane, më e madhja në botë, vazhdon të rimëkëmbet pas recesionit të vitit 2008. Sipas Departamentit të Punës, 287 mijë amerikanë paraqitën kërkesë për asistencë, afro tetë mijë vetë më pak se një javë më parë dhe shifra më e ulët që në qershor 2006.

Numri i personave që kërkojnë asistencë papunësie është një pasqyrë e gjendjes së tregut të punës. Rënia e këtij numri tregon se bizneset nuk po pushojnë njerëz nga puna – një sinjal i përmirësimit të klimës së biznesit.

XS
SM
MD
LG