Lidhje

Presidenti i Irakut flet për gjendjen në vend


Ekstremistët e Shtetit Islamik kanë kryer sulme ndaj kurdëve, të krishterëve, jazidëve, myslimanëve shiitë dhe të tjerëve. Mendohet se grupi udhëhiqet dhe mbështetet nga myslimanë suni që dikur sundonin Irakun, por u lanë nën hije nga qeveria e mbizotëruar nga qeveria shiite e kryeministrit Nouri al-Maliki. Presidenti i Irakut thotë se përkrahja fillestare është dobësuar.

“Udhëheqja politike e Sunive është e gjitha kundër Shtetit Islamik dhe e di që sunitë nuk janë të lidhur me ta. Tani që sunitë e kanë parë se ç’bën Shteti Islamik, ata janë të shqetësuar. Aktet prej diktatorësh dhe filozofia e prapambetur i ka frikësuar të gjithë”.

Në fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e kaluar, presidenti irakian tha se grupi Shteti Islamik duhet të çrrënjoset, ose përndryshe do të ringrihet. Shtetet e Bashkuara kanë krijuar një koalicion shtetesh perëndimore dhe arabe për të ndihmuar për shkatërrimin e bazave të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Por Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ftuar Iranin për të marrë pjesë në koalicionin kundër terroristëve, pavarësisht nga një farë zbutjeje e marrëdhënieve me Teheranin.

“Është çështje e Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nëse bashkëpunojnë ose jo. Por qeveria iraniane ishte e para që na dha ndihmë humanitare dhe bashkëpunoi me ne; ata gjithashtu u dhanë armë të gjitha palëve që po luftonin ekstremistët e Shtetit Islamik”.

Presidenti Maasum thotë se Iraku ka gjithashtu edhe mbështetjen e Arabisë Saudite dhe Turqisë. Me pozicionin e saj në kufi me Irakun dhe Sirinë, Turqia ka qenë nën trysni për të luajtur një rol më të madh në luftën kundër ekstremistëve.

“Ne jemi të gatshëm për çdo lloj bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit. Megjithatë, Turqia nuk kërkon zgjidhje të përkohëshme dhe as nuk do t’i lejojë të tjerët që të përfitojnë nga kjo”.

Kurdët e Irakut kanë qenë në vijën e parë të frontit të qëndresës ndaj ekstremistëve dhe kanë siguruar mbështetje ndërkombëtare. Ka shqetësime se kjo do të forcojë aspiratat e tyre për një shtet të pavarur. Presidenti i Irakut shprehu besimin se kjo nuk do të ndodhë.

“Shteti Islamik luajti një rol kyç në bashkimin e të gjitha grupeve irakiane, sepse të gjithë e kuptuan sesa e rëndë është situata me të cilën ata përballen. Mosmarrëveshjet e brendshme në Irak duhet të zgjidhen, sepse askujt nuk i shërben që ato të vazhdojnë”.

Presidenti i Irakut është kurd. Para disa muajsh ai emëroi një kryeministër të ri. Haider al-Abadi, që po punon për të zbutur tensionet fetare dhe etnike. Zoti Maasum thotë se një ndarje e kurdëve nga Iraku do të ishte një fillim problemesh serioze për rajonin.

XS
SM
MD
LG