Lidhje

Avokatët të pakënaqur me profesionin e tyre


Warren Brown në të kaluarën ka punuar si avokat. Por tani atë mund ta gjesh duke u përgatitjen e ëmbëlsirave në një nga dyqanet e tij, në vend se ta shohësh në sallën e gjyqit duke mbrojtur klientët. Dy vjet pasi filloi të punonte si avokat, ai e kuptoi se nuk i pëlqente puna.

"Ishte një punë e mirë, me shumë autoritet dhe përgjegjësi. Por pas tre muajve si avokat, e kuptova se nuk do të isha i lumtur gjatë gjithë jetës sime nëse do të vazhdoja atë karrierë".

Kështu që ai zgjodhi një interes tjetër, gatimin, vendim i cili u inkurajua nga miqtë dhe kolegët e tij.

"Sillja ëmbëlsira në punë, organizoja festa, ua shpjegoja miqve përgatitjet që bëja dhe ata më thoshin se duhet të hapja një dyqan ëmbëlsirash".

Dhe pikërisht këtë bëri. Ai hapi dyqanin e tij të parë, CakeLove në Uashington në vitin 2002, dhe shumë shpejt hapi edhe një tjetër në Virxhinia. Sot ai punëson rreth 15 njerëz të cilët e ndihmojnë atë të gatuaj ëmbëlsirat e tij popullore dhe pastat.

Ai ka publikuar disa libra gatimi dhe kohët e fundit hodhi në shitje produktin e tij më të ri, tortën në kavanoz, që është në dispozicion edhe për shitësit me shumicë.

"Shumë e thjeshtë. Kjo është një minitortë në kavanoz".

Zoti Brown është vetëm njëri nga një numër në rritje i avokatëve që po heqin dorë nga profesioni i tyre për t'u bërë sipërmarrës.

Sipas një studimi të kohëve të fundit nga Fondacioni i Avokatëve Amerikanë, pothuajse 20 përqind e avokatëve të cilët kanë kaluar provimin e jurisprudencës në vitin 2000 nuk praktikonin më profesionin e tyre në vitin 2012.

Një studim nga Shoqata e Avokatëve Amerikanë sugjeron se 45 përqind e avokatëve janë të pakënaqur me punën e tyre. Dhe këto shifra janë në rritje.

Casey Berman është një ish-avokat dhe themelues i blogut Leave Law Behind. Ai i tha Zërit të Amerikës se ai i ndihmon avokatët e pakënaqur të ndryshojnë karrierën.

"Shpesh njerëzit shkojnë në shkollë për juridik jo për arsye të gabuar por ata thjeshtë nuk mendojnë mbi këtë në mënyrë kritike dhe përfundojnë në një punë të cilën ata nuk e kanë studiuar, vlerësuar, apo ku nuk mund t’i shfrytëzojnë të gjitha aftësitë e tyre. Pra, këtu ka një mospërputhje".

"Në Shtetete e Bashkuara ka rreth një milion avokatë dhe unë mund të vë bast se gjysma e tyre ose 40 përqind e tyre janë të pakënaqur ose kanë disa ide për t’u marrë me diçka tjetër".

Warren Brown thotë se është i lumtur që ka gjetur një alternativë me të cilën ai është i kënaqur.

XS
SM
MD
LG