Lidhje

Specialistët: Ebola mund të ndalet


Kjo është Zyra e Reagimeve Emergjente të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ose CDC. Prej këtu punonjësit monitorojnë kërcënimet e shëndetit publik në mbarë botën. Që nga mujai mars, ata kanë monitoruar Ebolën.


Në shtator, CDC publikoi një parashikim shokues: më shumë se një milion njerëz mund të infektoheshin nga Ebola deri në janar, nëse nuk merreshin masa të menjëhershme për t’i prerë rrugën epidemisë.
Ekspertët e Zyrës së Reagimeve Emergjente këtu në Atlanta ofrojnë informacione të rëndësishme për njerëzit në terren, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe qeveritë në Liberi, Sierra Leone dhe Guine, epiqendra e epidemisë.
Kreu i CDC-së, Dr. Thomas Frieden, vizitoi rajonin e prekur nga Ebola në fund të verës.


"CDC ka qenë në terren për çdo përgjigje ndaj Ebolës. Dhe unë personalisht, sigurova secilin nga vendet që ne do të jemi atje me ta derisa kjo krizë të përfundojë."


Në vendet e prekura nga Ebola, ka postera që deklarojnë se virusi ekziston vërtetë. Specialistët e komunikimit të Qendrës në Atlanta ndihmojnë këto shtete t’u mësojnë njerëzve se si të ruhen prej virusit dhe se çfarë të bëjnë nëse dikush ka temperaturë, shenja e parë paralajmëruese e Ebolës.
CDC-ja nuk dërgon mjekë për t'u kujdesur për pacientët. Në vend të kësaj, Qendra trajnon punonjës mjekësor që të mund ta bëjnë këtë në mënyrë të sigurtë.


"CDC është duke punuar në çdo aspekt të përgjigjes në çdo vend ku epidemia është e pranishme. Po ndihmojmë pacientët të diagnostikohen me saktësi. Po ndihmojmë në monitorimin e epidemisë, në përmirësimin e mënyrës se si ata përgjigjen ndaj saj. Si dhe po ndihmojmë për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë për ta ndaluar."


Ndërkohë që përkujdesja që në fillim rrit në mënyrë të ndjeshme shansin e mbijetesës, nuk ka qendra të mjaftueshme mjekimi dhe shumë njerëz kthehen pas, duke u lënë të presin ose të vdesin jashtë. Dr. Frieden thotë se ndërtimi i më shumë klinikave të specializuara dhe mjekimi në to i më shumë njerëzve është çelësi për të ndalur epideminë.


"Koha është absolutisht thelbësore. Një veprim që është i mirë sot është shumë herë më i dobishëm sesa një veprim që është shumë i mirë pas një jave. Kaq urgjent është problemi."


Trupat amerikane po ndërtojnë qendra të reja mjekësore. Trupa të tjera pritet të mbërrijnë në Afrikë në fund të tetorit.
Dr. Frieden thotë se ai është ende i bindur se epidemia Ebola mund të ndalet.
Por ai thotë gjithashtu se situata do të përkeqësohet para se të fillojë përmirësimi.

XS
SM
MD
LG