Lidhje

Analizë e re për kancerin e zorrës së trashë


Sipas Fondit Botëror të Kërkimeve për Kancerin dhe Institutit Amerikan për Studimin e Kancerit, kanceri i zorrës së trashë është kanceri i tretë më i përhapur në botë dhe shkaku i katërt më i zakonshëm i vdekjes për burrat dhe gratë. Përqindja e mbijetesës rritet nëse sëmundja diagnostikohet herët. Një lloj i ri analize mund të zëvendësojë kolonoskopinë si rruga më e saktë për këtë diagnostikim.

Doktorët thonë se analiza më e besueshme për kancerin e zorrës së trashë është kolonoskopia, pra të kontrollosh nga brenda zorrën e trashë. Me një instrument të posaçëm, mjekët kontrollojnë për polipë vdekjeprurës dhe i heqin aty për aty.

Por onkologu i Universitetit të Majamit, Ike Akunyili thonë se kjo procedurë nuk është shumë popullore.

“Është e bezdisshme dhe shumë njerëzve nuk u pëlqen kjo”.

Për këtë arsye, shumë pacientë zgjedhin një mënyrë shumë më pak ndërhyrëse, një analizë gjaku që mund të bëhet në shtëpi por nuk është aq e saktë. Nuk i dallon polipët dhe disa herë nuk dallon as disa lloje kanceri.

Por një mënyrë e re, e quajtur Cologuard pretendohet se është 92 për qind e saktë në identifikimin e kancerin e zorrës së trashë.

Akunyili thotë ky është një lajm veçanërisht i mirë për pacientët që u shmangen kolonoskopive.

“Mund të rrisë rastet e analizave dhe njerëz që hezitojnë të kontrollohen, ndryshojnë mendim”.

Pacientët mund të mbledhin kampionë në shtëpi dhe ta dërgojnë në laborator, ku analizohet për disa shenja të lidhura me polipët ose tumorë në fazat fillestare.

Gastroenterologjisti David Alquist thotë se analiza e re mund të pakësojë rastet e kancerit të zorrës së trashë, ashtu si prova PAP uli rastet e kancerit të mitrës.

“Nuk ka arsye që përdorimi i gjerë i Cologuard në popullsi, të mos japë të njëjtat rezultate për kancerin e zorrës së trashë. Synimi ynë është zhdukja e këtij kanceri”.

Ndërsa kontrolli për prirje gjenetike bëhet më i sofistikuar, mjekët thonë se kjo analizë mund të jetë së shpejti në gjendje të identifikojë lloje të tjera kanceri gastrointestinal.

XS
SM
MD
LG