Lidhje

SHBA dhe Turqia për strategjinë kundër Shtetit Islamik


Turqia është pjesë e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA kundër grupit militant Shtetit Islamik në Siri dhe Irak dhe ka refuzuar deri më tani të marrë pjesë në të ushtarakisht. Analistët thonë se një arsye bazë për hezitimin e Turqisë është se përparësitë e saj në rajon ndryshojnë nga ato të Shteteve të Bashkuara. Ata thonë se përparësia e Uashingtonit është Iraku, ndërsa synimi kryesor i Turqisë është rrëzimi i udhëheqësit sirian Bashar Al-Assad.Hezitimi i Turqisë për t’iu bashkuar koalicionit është tepër i dukshëm në qytetin siriano-kurd Kobani, ku luftëtarët kurdë po përballen me sulmin e Shtetit Islamik.

Kurdët në Turqi i kanë bërë thirrje Turqisë të ndërhyjë ushtarakisht për të ndaluar militanët të pushtojnë qytetin në kufirin siriano-turk.

Por, analistët thonë se Turqia nuk po vepron për shkak të lidhjeve të mundshme ndërmjet mbrojtësve kurdë të Kobanit dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, një parti e jashtëligjshme në Turqi.

Henri Barkey i Qendrës së Politikave Dypalëshe në Uashington thotë se Ankaraja do të preferonte që Kobani të pushtohej. Gjatë një diskutimi, zoti Barkey tha se krijimi i një rajoni të pavarur kurd në Sirinë veriore mund ta shtynte PKK-në të kërkonte një marrëveshje të ngjashme.

“Pra, nga ana strategjike, për turqit në veçanti, kur janë duke negociuar me PKK-në për zgjidhjen e problemit turko-kurd, shfaqja e një tjetër rajoni autonom në Sirinë veriore do të ishte e papëlqyeshme.”

Zoti Barkey dhe Eric Edelman, ish-ambasador i SHBA në Ankara, bien dakort se është në interesin më të mirë të Turqisë të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për të luftuar Shtetin Islamik.

“Është e qartë se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë nevojë për njëri-tjetrin. Kjo besoj është e dukshme.”

Përparësitë e ndryshme ndërmjet SHBA dhe Turqisë kanë shkaktuar një komunikim jo të mirë ndërmjet dy vendeve.

Rishtazi, pati perceptime të kundërta të shprehura publikisht nëse një marrëveshje ishte arritur që Shtetet e Bashkuara të përdornin bazën ajrore Inçirlik në Turqinë jugore për të sulmuar luftëtarët e Shtetit Islamik. Këshilltarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA, Susan Rice, njoftoi arritjen e një marrëveshjeje, ndërkohë që Turqia nuk e konfirmoi atë.

Zoti Barkey thotë se nuk është në interesin më të mirë të Turqisë të izolohet.

“Mund të ketë një çmim të madh për Turqinë, në veçanti pasi këshilltarja e sigurisë kombëtare njoftoi marrëveshjen dhe Turqia e mohoi. Nuk është kjo mënyra për të bërë miq në Uashington dhe në Shtëpinë e Bardhë... Kam përshtypjen që turqit nuk do të ndjehen shumë rehat nëse lihen të përjashtuar.”

Gjenerali amerikan në pension, John Allen, i dërguari i SHBA për koalicionin kundër Shtetit Islamik, po ndihmon për koordinimin e partnerëve në këtë mision. Zoti Edelman thotë se Gjenerali Allen mund të përballet me kërkesat e turqve për disa zotime nga Uashingtoni.

“Turqia ka disa shqetësime që mendon se nuk po trajtohen nga Shtetet e Bashkuara. Kështu që është e logjikshme të kërkojnë zotime nga SHBA përpara se të vendosin për rolin e tyre.”

Ndër këto angazhime, Turqia kërkon që Shtetet e Bashkuara të shpallin një zonë ndalim-fluturimi në Sirinë veriore, pranë kufirit turk, për të krijuar një zonë të sigurtë për rebelët që luftojnë kundër qeverisë siriane.

XS
SM
MD
LG