Lidhje

Një në shtatë amerikanë janë të kërcënuar nga uria


Në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave të Departamentit të Bujqësisë, numri i amerikanëve që sigurojnë me vështirësi ushqimin vazhdon të jetë në nivelin më të lartë historik. Më shumë se 17 milionë familje, pra 1 në 7, nuk e kishte ushqimin të siguruar vitin e kaluar. Kjo shifër nuk ka ndryshuar që nga viti 2008. Është një kujtesë e zymtë që ekonomia në përmirësim nuk i ka shtrirë efektet tek të gjithë.

Në depon e ushqimeve Sistas United, në dalje të Uashingtonit, sot ofrojnë shalqinj të freskët. Numri i familjeve që kërkojnë ndihmë këtu është rritur gjatë viteve të fundit. Themeluesja e qendrës, Wessita McKinley, thotë se këtu nuk e ndjen që kriza ekonomike të ketë mbaruar në vitin 2009.

“Kam pyetje një milionë dollarëshe. Kush po e merr veten ekonomikisht? Pasi këtu unë nuk e shikoj popullsinë që e ka marrë veten.”

Niveli i papunësisë u rrit gjatë kohës që kriza u thellua. Numri i të papunëve tani ka rënë krahasuar me kulmin e vitit 2010.

Shifra të reja nga Departamenti i Bujqësisë i Shteteve të Bashkuara tregojnë se pasiguria e ushqimit u shtua së bashku me krizën, dhe vazhdon të jetë në nivelin më të lartë historik, pavarësisht se njerëzit po rikthehen në punë.

“Unë po punoj, dhe megjithatë është ende e vështirë. Nuk ka rëndësi nëse punon apo jo. Thjesht nuk ke të ardhura të mjaftueshme për të mbijetuar.”

Grace Davis është mësuese në një program parashkollor për fëmijët me prindër në proçes çintoksikimi nga droga.

Ajo vjen tek qendra Sistas United pasi puna e saj nuk paguan mjaftueshëm që ajo të ushqejë familjen.

“Nuk di ku të shkoj tjetër. Ka ditë që nuk kemi mjaftueshëm ushqim. Vetëm sigurohem që im bir të ketë ushqimin e duhur. Nëse për mua nuk mbetet gjë, ashtu qoftë.”

Ndërkohë që çmimi i ushqimit është rritur gjatë viteve të fundit, pagat nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm.

Sarah Auth punon si kuzhiniere, por thotë se rroga e saj nuk i mbulon gjithnjë pagesat e faturave.

“Pasi paguan faturën e energjisë, këstin e makinës, furnizimin me karburant, nuk ngelen para shtesë për ushqimin. Edhe nëse ke para shtesë për ushqim dhe mundohesh të hash gjëra të shëndetshme, ushqimi i shëndetshëm është shumë i shtrenjtë.”

Disa depo ushqimore po ofrojnë më shumë fruta të freskëta, perime dhe mish. Kur nuk i kanë këto ushqime, njerëzit duhet të ngopen me ushqime të lira me pak ose aspak vlera ushqimore, thotë Nancy Roman, kreu i Depos Ushqimore Capital Area, në Uashington.

“E kuptojmë tani më shumë se më parë se sa ndikim kanë këto lloj zgjedhjesh mbi shëndetin dhe mirëqenien në tërësi.”

Zonja Roman shpreson se duke i ndihmuar njerëzit të përmirësojnë dietën e tyre, mund të ndihmohet edhe për të luftuar përhapjen e diabetit dhe sëmundjeve të zemrës.

Ndërkohë tek qendra Sista United, zonja McKinley shprehet e lumtur që po u ofron ushqime të shëndetshme njerëzve në nevojë. Por, ajo thotë se është e dhimbshme të vëresh se sa shumë janë.

“Ne supozohet që jemi një super-shtet, një superfuqi. Supozohet që ne jemi vendi më i pasur. Të tjerët vërejnë makinat tona luksoze dhe shtëpitë e mëdha. Pse kemi atëherë njerëz të uritur nëpër rrugë?”

Ajo thotë se pavarësisht nga numri i familjeve që ajo ndihmon, ka ende më shumë në nevojë.

XS
SM
MD
LG