Lidhje

SHBA, kundërshtime ndaj karantinës për Ebolën


Një zyrtar i lartë i shëndetësisë amerikane ka paralajmëruar se karantina e detyrueshme ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor që kthehen nga vendet e prekura nga Ebola në Afrikën Perëndimore mund të dekurajojë njerëzit nga vullnetarizmi në rajon.

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar Amerikan të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, tha gjatë një emisioni televiziv në rrjetin CNN se mënyra më e mirë për të mbrojtur amerikanët është të ndalohet shpërthimi i epidemisë në Afrikë dhe një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë është duke mbështetur punonjësit mjekësorë që shkojnë atje, në vend që ndaj tyre të merren masa që mund t’i "dekurajojnë nga ky veprim".

Komentet e tij vijnë pas vendosjes së rregullave të reja të karantinës në tre shtete të SHBA-së. Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Ilinoi kanë imponuar një karantinë tre-javore të detyrueshme për këdo që kthehet nga Afrika Perëndimore dhe që ka qenë i ekspozuar ndaj pacientëve me Ebola.

Guvernatori i Nju Xhersit Chris Christie e mbrojti rregullin e karantinës në shtetin e tij, duke e quajtur atë të nevojshëm "për të mbrojtur shëndetin publik të popullit të Nju Xhersit".

Ndërkohë, po sot, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power mbërriti në kryeqytetin e Guinesë Konakri, si pjesë e një misioni për të vëzhguar nga afër përgjigjen globale ndaj epidemisë në Afrikën Perëndimore.

Zonja Power tha se ajo shpreson të kuptojë më mirë se çfarë burimesh mungojnë, në mënyrë që ajo të mund të shtyjë vendet e tjera të ofrojnë më tepër ndihmë.

Nga Guinea, ambasadorja Power do të vizitojë Sierra Leonen dhe Liberinë. Këto tre vende kanë pësuar shumicën e rreth 5 mijë vdekjeve nga virusi Ebola.

XS
SM
MD
LG