Lidhje

SHBA dënon sulmet e helikopterëve sirianë


Shtetet e Bashkuara i dënuan si veprime “barbare” sulmet e njoftuara të helikopterëve sirianë, prej të cilave thuhet se janë hedhur bomba në një kamp me njerëz të zhvendosur nga lufta që vazhdon që prej tre vjet gjysmë në vend.

Grupi Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Britani, tha se sulmi dje në provincën Idlib shkaktoi të paktën 10 të vrarë.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i konfirmonin menjëherë hollësitë, por se “janë tmerruar” nga njoftimet dhe kanë folur vazhdimisht hapur kundër “shpërfilljes së pashpirt” për jetën njerëzore.

Zëdhënësja Psaki po ashtu përsëriti nevojën që Siria të mbahet përgjegjëse për veprime kundër civilëve gjatë konfliktit që filloi si një protestë në Mars të vitit 2011, por që më pas u shkallëzua në një luftë, ku janë vranë rreth 200 mijë njerëz.

Luftimet kanë detyruar mbi 3 milionë refugjatë të shkojnë në vendet fqinjë dhe 6,5 milionë të tjerë të zhvendosen brenda vendit.

XS
SM
MD
LG