Lidhje

Restaurim me lazer i artit në Vatikan


Pajisjet me rreze lazer po hedhin dritë të re mbi veprat e lashta të artit në zemër të Vatikanit. Thellë në laboratoret e një prej koleksioneve më të mëdha të artit në botë, vepra që përfaqësojnë mijëra vjet histori dhe kulturë janë duke u restauruar me teknologjinë më të përparuar të kohës.

Sheshi i Shën Pjetrit është një nga vendet më të njohura të planetit, por tani thesaret e tij po i nënshtrohen një operacioni të fytyrës me rreze lazer. Turmat mbushin sheshin për të admiruar bukuritë e tij, por thellë nën muzeun e Vatikanit, restauruesit janë duke punuar për të hedhur dritë të re mbi thesaret e vjetra.

Një nga koleksionet më të mëdha të pikturave dhe skulpturave në botë po risillet në jetë me ndihmën e disa prej teknologjive më të fundit me rreze lazer. Një nga veprat që po restaurohen është statuja e perëndeshës romake të Fatit, e cila ishte e mbuluar nga papastërtia mbledhur në dy mijë vjet. Vetëm një nga gishtat e dorës dhe një njollë e errët në fund të mantelit të saj, janë ato që kanë mbetur pa u rikthyer në shkëlqimin e tyre origjinal.

Ashtu si në fushën mjekësore, lazeri po bëhet një mjet gjithnjë e më i domosdoshëm për restaurimin e veprave pa përdorur agjentë kimikë, të cilët janë të kushtueshëm dhe të dëmshëm për mjedisin. Rrezet e gjelbra dhe të kuqe të dritës kanë rezultuar shumë të suksesshme në këtë detyrë delikate dhe muzeumet e Vatikanit po i përdorin ato mbi një numër gjithnjë e më të madh veprash arti, që mbajnë në 11 mijë dhomat dhe shtatë kilometra galeri të tyre.

"Kjo teknologji e re është e mahnitshme sa i përket rezultateve që marrim, por kjo, sigurisht, nuk është një kurë magjike. Jemi duke vazhduar të bëjmë çdo gjë që kemi bërë gjithmonë deri tani. Lazeri na jep pak më shumë mundësi, duke na lejuar ta përmirësojmë procesin e pastrimit dhe, në raste të caktuara, si ky që do ju tregoj tani, na lejon të mund të pastrojmë në një mënyrë që nuk do të kishim kurrë mundësi ta realizonim me një sistem tjetër," thotë Guy Devreux, drejtor i laboratorit të veprave prej mermeri.

Ky sarkofag tregon se çfarë janë të afta të bëjnë rrezet lazer. Por për ta kthyer atë në lavdinë e mëparshme janë përdorur jo më pak se pesë lloje të ndryshme lazerash.

Para se të fillojë procesi i pastrimit, kryhen teste rigoroze për t’u siguruar që pulsimet e dritës nuk e përshkojnë veprën përtej papastërtisë, duke e dëmtuar. Dhe kjo është pikërisht pika më e fortë e lazerit, sepse pasi vendosen parametrat, rrezet e shpërbëjnë pluhurin me pulsime të shkurtra por të fuqishme termike, por gjithmonë duke ndaluar në sipërfaqen e pikturës, vazos prej qeramike apo dorezës me dantella.

Lazerat për pastrimet e rënda, të përdorura për statujat e mermerit, lëshojnë një tingull si kërcëllimë ndërsa shpërbëjnë njollat mbi gur, kurse ato që përdoren në laborator për pikturat janë delikate, të lehta dhe pothuajse pa zë, duke rrëshkitur mbi sipërfaqe ndërsa punojnë.

"Arritja më e madhe është pikërisht kjo, pra heqja e papastërtisë pa pasur nevojë të përdorësh shumë substanca të cilat mund të depërtojnë tepër thellë dhe të krijojnë probleme për pastrime të tjera në të ardhmen," thotë Eugenio Ercadi, një restaurues që po punon për rifreskimin e një afresku të shekullit të 10-të dhe një statuje të shekullit të 13-të.

Afresku është shpëtuar nga një kishë koptike në Sudan – e cila u përmbyt në fund të shekullit të 19-të gjatë ndërtimit të digës Aswan – dhe përfundoi këtu, një relike e harruar.

Ndër 100 mijë objektet që presin të pastrohen, në laboratorin e materialeve të përziera, ka dhurata që i janë dhënë papëve gjatë shekujve. Disa anëtarë të ekipit të restaurimit kanë kaluar 5 muajt e fundit duke testuar lazerin me pupla të ngjyrave dhe madhësive të ndryshme të mara nga kopshti zoologjik i Romës.

"Ka objekte nga të gjitha kontinentet, të cilat janë shumë të ndërlikuara. Kemi kapele, veshje apo stoli, dhe penda është një material i gjendur shpesh përgjatë koleksioneve në këtë muze dhe objektet na krijojnë shumë probleme sa i përket pastrimit të puplave, pasi ato janë shumë delikate dhe pastrimi tradicional nuk është gjithmonë i mundur ose i kënaqshëm," thotë restauruesja Catherine Riviere.

Ulderico Santamaria, drejtor i laboratorit të diagnozave thotë se lazeri u jep mundësi të mbrojnë historinë e Vatikanit:

"Çfarë bën lazeri? Ai na lejon të mbrojmë historinë e vepërs së artit, falë mundësisë për të zgjedhur atë çka pastrojmë dhe për të kontrolluar rezultatin. Ne nuk duam të eliminojmë thelbin historik të veprës."

Nuk do të kalojë shumë kohë, thotë ai, para se teknika e lazerit e Vatikanit të jetë gati për t'u përdorur jashtë mureve të shtetit të vogël, në statujat dhe monumentet e Qytetit të Përjetshëm dhe në mbarë botën.

XS
SM
MD
LG