Lidhje

SHBA – Kinë pajtohen për uljen e ndotjeve nga gazrat


Udhëheqësit e dy vendeve që ndotin më tepër mjedisin ranë dakord të ndërmarrin hapa për të ngadalësuar prodhimin e gazeve që ndotin planetin. Kina ka përcaktuar për herë të parë një datë për këtë qëllim dhe SHBA janë zotuar për pakësim më të madh nga ç’kishte planifikuar fillimisht. Sidoqoftë, kjo mund të mos mjaftojë për të evituar efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike.

Oxhakët e Kinës prodhojnë më shumë dioksid se sa në çdo vend tjetër, më tepër edhe se ekonomia më e madhe e botës – Shtetet e Bashkuara.

Prandaj njoftimi i të mërkurës nga Presidenti Obama dhe Presidenti kinez Jinping ishte domethënës, thotë eksperti i politikave për klimën, Tim Profeta, i Universitetit Duke.

“Ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm nga SHBA dhe Kina, ashtu siç nuk mund të zgjidhet pa veprimin e këtyre dy vendeve.”

Presidenti kinez premtoi për herë të parë se ndotja nga Kina do të ulet deri në vitin 2030, duke synuar të plotësojë 20% të nevojave të saj energjitike nga burime që nuk prodhojnë karbon.

Kjo do të thotë se vendi duhet të shtojë më shumë energjinë e ripërtëritshme, krahasuar me nivelin e tanishëm të prodhimit nga qymyrguri.

Presidenti Obama premtoi që deri në vitin 2025 të pakësohet me një të katërtën niveli i vitit 2005 i ndotjes në SHBA. Shtëpia e Bardhë thotë se kjo dyfishon ritmin aktual të pakësimit të ndotjes.

“Ky është një objektiv ambicioz, por i arritshëm.”

Është gjithashtu një objektiv që do të kundërshtohet nga udhëheqësit e ardhshëm në Kongres, përfshirë kreun e shumicës në Senat, Mitch McConnell.

“Siç e lexova unë marrëveshjen, Kinës nuk i kërkohet të bëjë asgjë për rreth 16 vite, ndërkohë që këto ndotje të karbonit po sjellin dëme të mëdha në shtetin tim dhe në shtete të tjera amerikane.”

Edhe nëse të dyja palët do të arrijnë objektivin e tyre, vetëm kjo marrëveshje nuk do të mjaftojë për të evituar pasojat e ndryshimeve dramatike të klimës, thotë zoti Profeta.

“Nuk mund të vështrosh shifrat dhe të arrish në përfundimin se kjo do të përmbushë nevojat tona për të pakësuar çlirimin e gazeve deri në shekullin tjetër. Domethënia e këtij zhvillimi është se këto dy vende po ndërmarrin hapa në drejtimin e duhur dhe ndoshta do të ndikojnë në përshpejtimin e veprimeve në të ardhmen.”

Ekspertët shpresojnë që marrëveshja SHBA-Kinë do të sjellë përparim për një marrëveshje globale gjatë samitit të ardhshëm që do të mbahet në muajin dhjetor, në Peru.

XS
SM
MD
LG