Lidhje

Urdhër ekzekutiv për emigracionin


Presidenti Barack Obama pritet të bëjë një njoftim të rëndësishëm sot në mbrëmje në lidhje me emigracionin. Ai planifikon të nënshkruajë urdhëra ekzekutivë që nuk do të kenë nevojë për miratimin e Kongresit, për të mbrojtur miliona emigrantë të paligjshëm nga deportimi.

Çështja e emigracionit të paligjshëm shpërtheu si tema kryesore në fillim të këtij viti kur mijëra fëmijë pa dokumenta nga Amerika Qendrore patën kaluar kufijtë e Shteteve të Bashkuara. Mijëra fëmijë të tjerë të lindur këtu përjetuan deportimin e prindërve të tyre që nuk kishin dokumenta.

Demokratët dhe republikanët janë grindur vazhdimisht në lidhje me reformën për emigracionin. Senati miratoi një projekt-ligj vitin e kaluar, por Dhoma e Përfaqësuesve nuk e hodhi në votim. Meqë Kongresi nuk veproi dot, Presidenti Obama premtoi se do të ndërmerrte ai një veprim. Të enjten në mbrëmje, Presidenti do të shpallë se ai po ndërmerr një akt ekzekutiv për të mbrojtur nga deportimi rreth 5 milionë emigrantë pa dokumenta.

Ai iu drejtua popullit amerikan përmes Facebook-ut.

“Do të njoftoj prej këtu nga Shtëpia e Bardhë disa hapa për të filluar ndreqjen e sistemit tonë të prishur të emigracionit.”

Një sondazh i gazetës Wall Street Journal dhe rrjetit NBC tregon se gati gjysma e amerikanëve, 48%, janë kundër zgjidhjes së emigracionit nëpërmjet udhërave ekzekutive. Edhe republikanët, si Senatori i Teksasit John Cornyn, nuk janë dakort.

“Presidenti do t’u drejtohet njerëzve që kanë pritur në radhë me shumë durim, duke ndjekur rregullat se ai do të vendosë miliona njerëz të tjerë përpara tyre në radhë, të cilët nuk i kanë ndjekur këto rregulla.”

Urdhërat ekzekutivë janë përdorur edhe më parë. Presidentët George W. Bush dhe Ronald Reagan kanë përdorur urdhërin ekezekutiv në lidhje me emigracionin. Por, analistët thonë se çështja nuk ishte aq e nxehtë atëherë sa ç’është tani. Profesori Matthew Dallek jep mësim për politikën në Universitetin George Washington.

“Mendoj se ka zemërim të vërtetë të republikanëve për atë çfarë po bën presidenti. Dhe sigurisht, edhe nëse Obama nuk do e ndërmerrte këtë hap, sërish është e vështirë të parafytyrosh një rrugë drejt një zgjidhjeje të përbashkët për reformë.”

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se zoti Obama beson se është brenda fuqive të tij kushtetuese për të anashkaluar Kongresin me një urdhër të tillë ekzekutiv.

“Siç e dini, dhe siç thotë shpesh presidenti, në tryezën e tij të punës mbërrijnë vetëm vendimet tepër të vështira. Ky mund të jetë një përjashtim i tillë.”

Rreth dy vite më parë, Presidenti Obama bëri thirrje për reformë për emigracionin në një shkollë në Las Vegas, ku dy nga tre studentë ishin hispanikë.

Ditën e premte ai synon të kthehet sërish tek e njëjta shkollë për të shtjelluar detajet e planit të tij.

XS
SM
MD
LG