Lidhje

Shqipëri, festohet 102 vjetori i pavarësisë


Në Shqipëri sot u festua 102 vjetori I Pavarësisë së vendit. Krerët më të lartë të shtetit ishin në Vlorë, qyteti ku u shpall Pavarësia më 28 nëntor të vitit 1912.

Presidenti Bujar Nishani, kryetari i parlamentit Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit. Mijëra qytetarë, nga qyteti i Vlorës e nga zona të tjera të vendit si dhe nga Kosova e Maqedonia ishin mbledhur në Sheshin e Flamurit.

Këtë herë simboli kombëtar shqiptar u ngrit nga dy sportistët Romela Begaj dhe Daniel Godelli, falë të cilëve, vetëm pak javë më parë, flamuri i Shqipërisë u valëvit në kampionatin botëror të peshëngritjes ku ata u shpallën fitues.

Përveç himnit kombëtar, në ceremoni nuk pati deklarata nga asnjëri prej drejtuesve të Shtetit të cilët vijuan më pas të ndarë me aktivitete të tjera.

Kreu i opozitës Lulzim Basha bëri pasdite homazhe pranë bustit të Ismail Qemalit në Tiranë, ndërsa më herët gjatë ditës ai kishte bërë homazhe edhe pranë bustit të Adem Jasharit në kryeqytet si dhe në varrezat e Dëshmorëve për 70 vjetorin e çlirimit nga nazifashizmi.

Demokratët vazhdojnë të njohin si festën e çlirimit 28 Nëntorin dhe jo datën zyrtare të 29 Nëntorit.

XS
SM
MD
LG