Lidhje

Intervistë me analistin Veton Surroi


Veton Surroi
Veton Surroi

Sot në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, do të zhvillojë takimin e radhës për Kosovën për të debatuar rreth raportit të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon. Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen nga kryeministrat përkatës, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç. Ky takim i Këshillit të Sigurimit, ishte planifikuar fillimisht për në nëntor. Një nga arësyet e shtyrjes ishte edhe situata e paqartë në Kosovë për qeverinë që do të dilte nga zgjedhjet e qershorit. 6 muaj pas zgjedhjeve Kosova ende është në pritje të formimit të qeverisë së re, që pritet të formohet nga koalicioni i dy partive që kanë fituar numrin më të madh të votave, PDK dhe LDK. Qeverinë e ardhshme e presin një sërë detyrash të rëndësishme siç është vazhdimi i dialogut me Beogradin, miratimi i gjykatës për krimet e luftës, si dhe reforma kushtetuese dhe ligjore.

Me publicisitin e njohur veton Surroi
please wait

No media source currently available

0:00 0:09:05 0:00

Zëri i Amerikës: Atëherë, pikë së pari, çfarë ndikimi mendoni ju se do të ketë kjo tejzgjatje jo e zakontë e formimit të qeverisë, të institucioneve të Kosovës?

Veton Surroi: Është e qartë se ajo ilustron në masë të madhe dobësinë institucionale në Kosovë, dobësinë e strukturave politike dhe është një produkt i një procesi të kapjes së shtetit në Kosovë, i cili fatkeqësisht e ka përcjellë hyrjen e Kosovës në pavarësi dhe pastaj edhe vetë Kosovën e pavarur.

Zëri i Amerikës: Cili është mendimi juaj për marrëveshjen PDK-LDK? Kjo formulë ka qenë edhe më parë e këtyre dy forcave politike. Çfarë pritet?

Veton Surroi: T’ju them të drejtën nuk mendoj se duhet të përqëndrohemi fare tek formulat. Puna është se çfarë do të prodhojnë pushtetet. Dhe pushtetet në Kosovë, në masë të madhe, janë pjesë të një periudhe para-moderne të shtetit, ku ai që është në pushtet merr nga shteti dhe nuk jep shtet-bërje. Dhe elitat politike në Kosovë e kanë shfrytëzuar pjesëmarrjen e tyre në politikë për të krijuar rrethana më të mira për vete dhe për familjet e tyre, por jo për të krijuar një shtet-ndërtim të duhur të vendit. Dhe ky koalicion mund të mos jetë kurrfarë përjashtimi nga ky rregull i deritanishëm.

Zëri i Amerikës: Do të ishte ndryshe situata nëse do të kishte zgjedhje të tjera?

Veton Surroi: Zgjedhjet dhe kjo tejzgjatje po i bëjnë dëm edhe nocionit të demokracisë sepse të gjithë ata që mendojnë se me zgjedhje dhe me votë lirë do bëhen ndryshime, janë zhgënjyer me produktin e këtyre zgjedhjeve të kaluara, ku me manovra të ndryshme, me institucione të kapura nga struktura politiko-mafioze, nëse mund të përdoret ky formulim, nëpërmjet këtyre manovrimeve kanë bllokuar një vendimmarrje, e cila në shtete të tjera do të ishte demokratike.

Zëri i Amerikës: Dje, Transparency International publikoi indeksin për perceptimin e korrupsionit ku Kosova dhe Shqipëria radhiten në fund të vendeve të rajonit. Janë hedhur akuza se shteti në Kosovë është kapur nga korrupsioni, në një kohë që në luftën kundër korrupsionit, Kosova ka fatin, nëse mund të themi kështu, të ndihmohet nga EULEX-i për zbatimin e ligjeve. Por, nuk ka patur sukses. Si e shpjegoni ju një gjë të tillë?

Veton Surroi: Problemi i EULEX-it është se edhe ai është zhytur vetë, ose ka akuza për zhytjen vetë, në korrupsion. Ajo që është e vërtetë për Kosovën, është e vërtetë edhe për çdo shtet tjetër. Ajo që nuk mund ta shërojë kush lëngatën e korrupsionit, të sundimit të ligjit - të vendosë administrim dikush nga jashtë. Këtë duhet ta bëjnë vetë njerëzit aty. Problemi natyrisht për Kosovën është se ekizston edhe prania ndërkombëtare, e cila jo vetëm që nuk ka arritur të ndihmojë në këtë drejtim, por ka arritur t’i ndihmojë mu ato forca që janë përgjegjëse për kapjen e shtetit.

Zëri i Amerikës: Të diskutojmë pak për krijimin e gjykatës për krimet e luftës. Parlamenti i ri pritet të miratojë këtë gjykatë, ndërkohë që prokurori i posaçëm Clint Williamson, në raportin e tij paraprak, paralajmëroi se ka dyshime për krime të rënda të kryera nga drejtues të UÇK-së. Çfarë ndikimi mendoni se do të ketë kjo gjykatë për shoqërinë e Kosovës dhe për klasën politike të saj?

Veton Surroi: Varet se çka don shoqëria kosovare, klasa politike dhe shoqëria civile, mediat, pjesa intelektuale e kësaj shoqërie; se si do të interpretojë. Për një shtet të ri, i cili që nga lindja po lëngon nga thyerjet e brendshme është shumë me rëndësi të kalojë këtë fazë të katharsis dhe të spastrohet. Të spastrohet nga akuzat. Nëse ato janë të vërteta, atëherë të procedohet më tutje, dhe nëse janë të pavërteta të hiqen njëherë e përgjithmonë nga opinioni publik ndërkombëtar. Kosova ka fatin keq, dmth ka fatin e keq të dyfishtë, jo vetëm të pasjes së një strukture politike të lidhur me krimin, e cila është shndërruar në elitë udhëheqëse, por edhe të krijimit të një perceptimi të gabueshëm ndërkombëtar, ose në një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, se të gjithë janë të njëjtë në Kosovë, se disi gjenetikisht kodi gjenetik shqiptar duhet të prodhojë krim, ose duhet të prodhojë krim të lidhur me politikë. Dhe kjo është krejtësisht e pavërtetë, po aq sa është e vërtetë edhe për shtete të tjera të cilat në një formë apo tjetër në fazën e vet të ndërtimit kanë pasur ndërhyrjen kaq të madhe të krimit në jetën e tyre publike.

Zëri i Amerikës: Ju keni kritikuar ashpër kryeministrin Hashim Thaçi, sidomos në librin tuaj “Këmbët e gjarprit”, të botuar para zgjedhjeve. Ju keni bashkëpunuar me zotin Thaçi, në Rambuje, në proçesin e negociatave për statusin e Kosovës. Çfarë ka sjellë këtë largim mes jush?

Veton Surroi: Fakti që kemi bashkëpunuar, nuk do të thotë që ka patur afri. Njeriu në një fazë historike duhet të bashkëpunojë me atë me të cilin duhet të bashkëpunojë, jo me ata me të cilët zgjedh të bashkëpunojë. Dhe kjo nuk ka qenë zgjedhja ime. Ka qenë zgjedhja e rrethanave historike. Dhe po të kthehesha në po ato rrethana, prapë do të bashkëpunoja pa kurrfarë dyshimi, sepse ishte interesi madhor i këtij vendi. Por, zoti Thaçi dhe struktura së cilës ai i përket, struktura e ngushtë politike e lidhur me krimin, janë një lajm i keq për Kosovën. Ka qenë një lajm i keq për Kosovën, dhe do të jenë një lajm i keq për Kosovën, përderisa do të jenë pjesë e kësaj elite.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, Kosova ka miratuar në parim ligjin për pengimin e shkuarjes së luftëtarëve në Siri. Sa rrezikon sigurinë e Kosovës një dukuri e tillë?

Veton Surroi: Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, shqiptarët në Ballkan, janë shumë të rrezikuar nga një shndërrim i islamit politik në një lëvizje ndërkombëtare, dhe shndërrimin e kësaj lëvizjeje ndërkombëtare në një magnet, i cili tërheq njerëzit nga vise të ndryshme të botës në një kauzë e cila është krejtësisht jashtë besimit, jashtë traditës, jashtë formës së komunikimit të shoqërisë dhe shoqërive shqiptare. Ky është një rrezik jo vetëm për sigurinë e shqiptarëve, dhe të Ballkanit, pra edhe të Evropës, por është një rrezik për natyrën, dhe për kodin e bashkëjetesës, të cilin e kanë të ndërtuar shqiptarët, dhe i cili është shembull për Evropën dhe më gjerë.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, ju falenderoj për intervistën.

Veton Surroi: Faleminderit.

XS
SM
MD
LG