Lidhje

Abbott: Incidenti i pengmarrjes fantazi e një individi të sëmurë


Kryeministri australian Tony Abbott tha se incidenti i djeshëm i marrjes peng të disa njerëzve në një kafene të Sidenit, ishte një “fantazi e sëmurë e një individi me probleme mendore”.

Në Australi sot është ditë zie për viktimat e incidentit të pengamarrjes, që mori fund pas ndërhyrjes së policisë në orët e para të mëngjesit. Dy pengje dhe personi i armatosur që i kishte rrëmbyer ata, u vranë gjatë aksionit.

Zoti Abbot vendosi sot lule tek një memorial i krijuar në kujtim të viktimave. Ai tha se personi i dyshuar për krimin, me origjinë iraniane, ishte me probleme të rënda mendore dhe kishte një histori të gjatë krimesh dhe të përfshirjes në aktivitete ekstremizmi.

I dyshuari, u identifikua si 50-vjeçari Haron Monis, një person i njohur për autoritetet australiane, por zoti Abbott tha se ai nuk figuronte në listën e të dyshuarve për terroristë.

Monis, i vetëshpallur si klerik mysliman, ishte liruar me kusht, pas akuzave lidhur me vrasjen në vitin 2013 të ish-gruas së tij. Ai ishte gjetur gjithashtu fajtor për dërgimin e letrave kërcënuese prindërve të ushtarëve australianë të vrarë të Afghanistan.

XS
SM
MD
LG