Lidhje

Rënie historike e rublës ruse


Rubla ruse ra në një nivel tjetër historik sot, megjithë përpjekjet emergjente nga Rusia për të ndihmuar monedhën nga rënia e shpejtë. Në një lëvizje të papritur të hënën në mbrëmje, Banka Qendrore e Rusisë rriti dramatikisht normat e interesit nga 10.5 përqind në 17 përqind.

Lëvizja erdhi pasi monedha ruse shënoi rënien më të madhe në një ditë që nga kriza financiare e Rusisë në vitin 1998.

Drejtoresha e Bankës Qëndrore Ruse, Elvira Nabiullina tha se rritja e normës së interesit, do të pakësonte efektet negative të dobësimit të rublës mbi ekonominë ruse.

"Kohët e fundit kemi parë një zhvleftësim të shpejtë të monedhës kombëtare. Arësyet kryesore janë rënia e çmimit të naftës dhe mungesa e mundësive të bankave tona për të kërkuar financim nga bankat ndërkombëtare. Ky dobësim i madh i monedhës kombëtare sjell efekte të ndryshme, por jep gjithashtu një shans për zëvendësimin e mallrave të importit me mallra vendi. Por për të kufizuar pasojat negative nga dobësimi i rublës dhe inflacioni, ne morën vendimin të risim normën e interesit nga 10.5 në 17 përqind. "

Për një moment gjatë ditës së sotme, rubla arriti pikën më të ulët duke u shkëmbyer 80 rubla me një dollar dhe 100 me një Euro. Rubla aka humbur 60 për qind të vlerës së saj gjatë këtij viti.

Rënia spirale e rublës ka filluar të shkaktojë shqetësime mes rusëve, por shumë prej tyre mbeten të bindur se qëndrueshmëria do të kthehet shpejt.

“Ne jetojmë në Rusi, paguhemi me rubla dhe blejmë me rubla kështu që s’mund të them asgjë. Përsa i përket normës së bankës qëndrore është më mirë të pyesni bankën. Ne nuk jemi ekonomistë”, thotë Sergei nga Moska.

Monedha ruse ka qënë nën presion të madh pas rënies së shpejtë të çmimit të naftës, që është burimi kryesor i të ardhurave për ekonominë ruse dhe nga sanksionet e Perëndimit për shkak të ndërhyrjes së presidentit Vladimir Putin në Ukrainë për të mbështetur forcat pro-ruse që luftojnë kundër qeverisë së Kievit.

“Preken ata që kanë diçka për të mbrojtur. Në se nuk ke shumë para nuk ke për të humbur shumë. Unë jam i qetë, çdo gjë në botë lëviz në një rreth. Sot është keq, nesër do të jetë mire. Çdo gjë do të shkojë në regull”, thotë një tjetër banor i moskës, Yevgeny.

Kremlini është përpjekur t’i sigurojë qytetarët rus se zhvlerësimi do të jetë i përkohshëm dhe se rubla do të rimarrë vlerë.

Por paqëndrueshmëria e rublës nuk pritet të marrë fund së shpejti. Banka Qendrore ruse tha dje se inflacioni priotet të arrijë në 11,5 për qind gjatë tremujorit të parë të 2015. Analistët thonë se Rusia mund të vendosë kontrolle së sshpejti mbi kapitalet që investohen jashtë vendit.

Sipas Bankës Botërore në se çmimi i naftës do të luhatet rreth 78 dollarë për fuçi vitin e ardhshëm, ekonomia ruse do të binte me 0,7 për qind.

Por një rënie më e madhe është e mundshme, pasi çmimet e naftës kanë rënë me 50 për qind që nga mesi i këtij viti dhe në se ato qëndrojnë në nivelin e 60 dollarëve për fuçi, sipas Bankës Qendrore ruse, ekonomia do të binte me 4,8 për qind.

XS
SM
MD
LG