Lidhje

Kosova: Graçanica sërish në zgjedhje


Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, vendosi që më 18 janar të vitit që po vjen të mbahen zgjedhjet e parakohshme për kryetar të komunës së Graçanicës, një komunë me shumicë serbe rreth 6 kilometra në lindje të Prishtinës.

Vendimi për zgjedhje të parakohshme pasoi dorëheqjen e kryetarit të deritashëm të komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviç, i cili javën e kaluar mori postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës.

Zoti Stojanoviç, u zgjodh nje vit më parë në postin e kryetarit si pjesëtarë i “Listës Serbe”, një subjekt politik që mbështetet nga Beogradi dhe i cili ka fituar nëntë nga dhjet vendet e ndara për komunitetin serb në parlamentin e Kosovës.

Presidentja Jahjaga u bëri thirrje qytetarëve të komunës së Graçanicës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e ri.

Pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve të Graçanicës në zgjedhjet për kryetar, do t’u jap atyre mundësinë që të ndihmojnë në ngritjen e mirëqenies dhe të përmirësojnë jetën e tyre, duke ndihmuar në integrimin sa më të shpejtë të të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës”.

XS
SM
MD
LG