Lidhje

Normalizimi i marrëdhënieve SHBA-Kubë


Lidhjet tregtare dhe ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës mund të shtohen ndjeshëm, me normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve, por nuk pritet që kjo të ndodhë shpejt.

SHBA vazhdojnë ta mbajnë në fuqi embargon ekonomike ndaj ishullit të udhëhequr nga një qeveri komuniste, me të cilin i ndajnë vetëm 145 kilometra ujë në brigjet jugore të vendit.

Kongresi amerikan zor se do t’i heqë së shpejti të gjitha kufizimet ndaj Kubës, edhe pse Presidenti Obama thotë se do të rifillojnë disa shkëmbime tregtare, me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve të Hemisferës Perëndimore.

Lidhjet tregtare mes SHBA dhe Kubës morën fund në vitin 1960, kur Fidel Kastro mori drejtimin e vendit dhe shtetëzoi bizneset me pronarë amerikanë. Tani vëllai i zotit Kastro, Rauli, po bashkohet me përpjekjet e Presidentit Obama, për lehtësimin e armiqësive mes të dy vendeve.

Dy analistë në Washington vlerësuan sot se eksportet amerikane në Kubë mund të arrijnë vlerën e 5,9 miliardë dollarëve në vit, ndërsa eksportet e Havanës në SHBA mund të kapin vlerën e 6,7 miliardë dollarëve. Ata thanë po ashtu se me normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve investimet e drejtpërdrejta në Kubë mund të rriten nga më pas se 1 miliardë dollarë sot, në rreth 17 miliardë dolallarë.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të normalizuar marrëdhëniet me Kubën pas më shumë se 50 vjetësh është pritur me reagime të ndryshme. Shumë amerikanë mbështesin argumentin e Presidentit Obama se izolimi i Kubës është një politikë e vjetëruar që nuk u ka shërbyer interesave amerikane. Kritikët e vendimit thonë se normalizimi i marrëdhënieve është në një farë mënyre një mbështetje për regjimin komunist. Njoftimi i zotit Obama përkon me shkëmbimin e të burgosurve që mbanin dy vendet nën akuzat për spiunazh.

Komuniteti kubano-amerikan në Miami reagoi fuqimisht ndaj vendimit të djeshëm të Presidentit Obama për ndryshimin e politikës amerikane ndaj Kubës:

“Përmes këtyre ndryshimeve synojmë të krijojmë mundësi për popullin amerikan dhe atë kuban dhe të hapim një kapitull të ri për vendet e Amerikës”.

Disa nga ata që u arratisën nga Kuba komuniste për në Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur politikën e izolimit përmes sanksioneve dhe ndalimit të udhëtimeve, megjithëse kjo politikë e bënte të pamundur për të afërmit e tyre të vizitonin Floridën, e cila ndodhet vetëm 170 kilometra nga Havana.

“Ky ndryshim është tradhëti ndaj mbi 50 mijë të vrarëve nga regjimi i Kastros. Është tradhëti ndaj Kubës. Por tani nuk duam t’ia dimë për Kubën, por vetëm për interesat amerikane”.

Shumë të tjerë kanë kërkuar prej kohësh normalizimin e marrëdhënieve me atdheun e tyre.

“Jam dakord që Kuba dhe Shtetet e Bashkuara të kenë marrëdhënie për t’u njohur më mirë”.

Vendimi i Presidentit Obama mori një mbështetje shumë të përzemërt nga Alan Gross, një amerikan i operacioneve humanitare i cili dje u lirua pas një burgim pesë-vjeçar në Kubë. Zoti Gross tha se populli kuban nuk e meriton të izolohet.

“Për mua, kubanët, ose pjesa më e madhe e tyre, janë njerëz shumë të ngrohtë, zemërgjerë dhe të talentuar. Më vjen keq kur i shoh që trajtohen në mënyrë kaq të padrejtë si rezultat i politikave armiqësore të të dyja qeverive”.

Në Havanë, disa banorë e përshëndetën lirimin e tre kubanëve që ishin shpallur fajtorë për spiunazh në Shtetet e Bashkuara.

“Mendoj se është një hap shumë pozitiv që tre heronjtë që u burgosën në perandorinë amerikane, janë kthyer në Kubë”.

Presidenti kuban Raul Kastro thotë se Presidenti Obama mund të bëjë më shumë:

“Bllokada ekonomike, komerciale dhe financiare që solli vuajtje të mëdha humane dhe ekonomike mbi vendin tonë duhet të marrë fund. Megjithëse këto masa u morën me ligj, presidenti amerikan mund të ndryshojë zbatimin e tyre përmes një urdhëri ekzekutiv”.

Një akt i tillë kundërshtohet nga shumë amerikanë me origjinë kubane, përfshirë Senatorin Marco Rubio, i cili dënon zbutjen e politikave ndaj Havanës:

“Si rezultat i kësaj, regjimi i Kastros, i cili kontrollon çdo aspekt të jetës kubane, do të ketë mundësinë t’i manipulojë këto ndryshime për të vazhduar të mbajë pafundsisht pushtetin”.

Menjëherë pas njoftimit filluan të vijnë përgëzime për Kubën nga Venezuela dhe Vatikani.

Që kur Presidenti Obama lejoi udhëtime të kufizuara për në Kubë në 2011, qindra mijëra amerikanë e kanë vizituar këtë ishull. Në bazë të masave të reja, Shtetet e Bashkuara kanë në plan të rihapin ambasadën në Havana dhe të zbusin kufizimet ndaj udhëtimeve dhe tregtisë gjatë muajve të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG