Lidhje

Shqipëria gjatë vitit 2014


Nga vjedhja në Bankën Qendrore te ndërhyrja ne Lazarat, nga tensionet politike te statusi kandidat në BE dhe vizita e Papës... ngjarjet që shënuan muajt që lamë pas

Viti 2014 ishte i ngarkuar me zhvillime te vrullshme në Shqipëri dhe jo vetëm politike. Një ngjarje e cila do të trondisë opinionin është ajo e vjedhjes në Bankën Qendrore.
VJEDHJA NË
BANKËN QENDRORE
Më 23 korrik përmes vetëm pak radhëve në faqen e saj online Banka e Shqipërisë njoftoi se dy ditë më parë kishte bërë kallzim ndaj dy punonjësve në departamentin e Emisionit, për përvetësim të vlerave monetare, duke saktësuar se informacioni i detajuar rreth ngjarjes është i klasifikuar. Por ngjarja ishte shumë e madhe për t’u mbajtur brenda mureve të Bankës
Të nesërmen u arrestuan dy punonjësit e akuzuar Ardian Bitraj dhe Mimoza Brusia. 5 ditë më vonë Banka do të konfirmojë se ishin vjedhur 713 milion lekë. Këshilli MBikqyrës dhe guvernatori Ardian Fullani do të këmbëngulin se të gjitha aktet dhe procedurat ishin të plota dhe sipas standarteve, ndonëse vjedhja kishte vazhduar për katër vite me radhë. Më 30 korrik guvernatori deklaroi se “ka ceduar personi, njeriu”.
Shqipëria gjatë vitit 2014
please wait

No media source currently available

0:00 0:17:32 0:00
Jehona e ngjarjes sa vjen e bëhet me e fortë. “Eshtë cënuar rëndë, imazhi I Bankës së Shqipërisë, dhe më tej edhe vetë imazhi I vendit”, u shpreh Erion Brace, kryetari i komisionit të Ekonomisë. Ai ishte i pari zyrtar që reagoi me forcë duke thirrur në seancë dëgjimore guvernatorin. Zoti Brace do të këmbëngulë në nxjerrjen e përgjegjësive të plota.
Qeveria do të shprehet publikisht vetëm dy javë pas ngjarjes, më 6 Gusht, me anë të një deklarate. Ajo flet për një akt kriminal dhe kërkon hetime të shpejta. Të njejtave tone të kujdesshme kryeministri Edi Rama, do i përmbahet edhe dy javë më pas: “Cështja e parë është të konkludojmë në mënyrë objektive dhe konstruktive se ku qëndrojnë problemet në sistem”.
Trysnia e publikut ndërkohë sa vjen e rritet dhe zërat për shkarkimin e guvernatorit apo dhe Këshillit ndjehen edhe brenda shumicës. Një valë arrestimesh prekën gjatë muajit gusht punonjës të ndryshëm të Bankës, përfshi edhe drejtorin e departamentit të Emisionit, Dorian Collaku. Ato do të kulmojnë në fillim të shtatorit me arrestimin e Guvernatorit Fullani dhe Inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi mbrëmjen e 5 Shtatorit.
Pas 24 orësh, Këshilli Mbikqyrës, i cili më parë kishte refuzuar shkarkimin, mblidhet këtë herë për të vendosur largimin e Guvernatorit. Katër ditë më pas jep dorëheqjen dhe anëtari Ardian Civici.
Zoti Fullani do të qëndrojë në qeli 10 ditë. Gjykata e Apelit do ta lerë në arrest shtëpie, ndërsa më pas Gjykata e Lartë do të caktojë për të vetëm detyrim paraqitje. “Unë jam i pafajshëm”, do të deklaronte më vonë zoti Fullani, në përfundim të njërës prej seancave të pyetjeve që Prokuoria zhvillon me të, ndërsa hetimet ndaj tij ende nuk janë mbyllur.
Ndërkaq skena politike vihet në lëvizje. Kryeministri Rama bisedon me Presidentin Nishani dhe takon stafin e Bankës së Shqipërisë për t’i dhënë mbështetje duke garantuar më pas se “stabiliteti financiar i vendit është tërësisht i pacënuar dhe i garantuar”, nënvizoi zoti Rama më 8 Shtator.
Lidhur me pasuesin e zotit Fullani, kryeministri deklaroi se ai nuk do të ishte nga politika, por një profesionit i fushës. Gjetja e Guvernatorit të ri do të rezultojë një procesi jo shkurtër. Presidenti Nishani hapi më 19 Shtator, një garë për kandidaturat, duke nxitur dhe një polemikë lidhur me procedurën, duke qenë se ligji parashikon zgjedhjen mes anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës. Megjithatë ai do t’i shkojë deri në fund idesë së tij dhe me 7 dhjetor do të propozojë emrin e Gent Sejkos, një emër me eksperiencë bankare dhe aktualisht nëndrejtor i bankës franceze Societe Generale. Rreziku i përplasjes me shumicën është i dukshëm. Kryetari I komisionit të Ekonomisë Brace deklaron se do të kërkojë interpretimin e Komisionit të ligjeve lidhur me dekretin e Presidentit.
Kompromiset politike do të shpëtojnë situatën. Më 19 dhjetor Këshilli Mbikqyrës e propozon zotin Sejko për anëtar të tijin në emër të kapërcimit të ngërcit dhe konsensusit politik, sic do të shpjegonte vetë Këshilli përmes një deklarate. Ai do të marë me shpejtësi aprovimin e Parlamentit së bashku me dy emra të tjerë, duke u zgjedhur kështu anëtarë të Këshillit Mbikqyrës. Zgjidhja e cështjes së guvernatorit mbylli vetëm një kapitull. Ndërsa fati i miliona dollarëve të vjedhur mbetet ende një mister.
AVIONI I DROGËS NE DIVJAKE
BIE MITI I LAZARATIT
Ndërsa në vend një seri atentatesh dhe shpërthimesh me eksploziv kishin ngritur shqetësime serioze mbi gjendjen e rendit, një fjali, e cila u duk sikur ishte hedhur aty thjesht si garniturë e nje polemike të fortë në parlament mes ish ministrit të Mbrojtes Arben Imami dhe pasueses së tij socialiste Mimi Kodheli, shënoi preludin një fronti të ri akuzash që do të zgjasin disa javë
“Infrastruktura ushtaraka e një ushtrie të Natos, po përdoret rregullisht në infrastrukturë të transportit të lëndëve narkotike”, deklaroi zoti Imami gjatë seancës së 10 Prillit.
Në ditët që do të pasojnë polemikat do të përqëndrohen vetëm në këtë pikë. Opozita do të shtrojë në mënyrë të përsëritur të njejtën pyetje. “Keni apo jo dijeni për përdorimin e strukturave të forcave të armatosura për transportin e lëndëve narkotike?”, pyet kreu i opozitës Lulzim Basha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat më 17 prill.
Një javë më pas në parlament kjo do të jetë tema e debatit. Por sipas ministres së MBrojtjes Mimi Kodheli “nuk ka asnjë provë, asnjë fakt. Zero”. Zoti Imami do të avancojë më tej duke folur për avion të ulur në bazën e Gjadrit: “Më 19 mars, një avion i bardhë, i cili vjen e ulet shpesh herë…” Gjithshka e ka burimin te një informacion i Shërbimit Informativ Kombëtar, i cili më vonë do të dalë e të sqarojë se nuk ka asnjë fakt të vërtetuar që të implikojë ushtrinë.
Sipas opozitës avionë janë ulur edhe në zona të tjera të vendit, në Gjirokastër apo dhe në Divjakë. Por në parlament kryeministri Edi Rama do të ironizonte duke thënë se “nuk janë avionë, janë mushkonjat, që janë kthyer si avionë të droguar që pickojnë azhdimisht opozitën”.
E ndërsa shkëmbimi i replikave vazhdoi, tre javë pas kësaj deklarate të kryeministrit, një avion i vogël, i bardhë, do të ngecë gjatë uljes në plazhin e Divjakës. Piloti është italian. Në zonë gjenden mbi 400 kilogram marijuanë në thaës. Arrestohet dhe një shqiptar.
Opozita i rikthehet më me forcë akuzave, ndërsa këmbëngulte se paralajmërimet e saj u vërtetuan. “Avioni iu ka rënë në prehër, droga ju ka mbetur në derë”, deklaron zoti Basha. Opozita kërkoi dhe dorëheqjen e kryeministrit e zhvilloi dhe protesta. Zoti Rama hodhi poshtë me forcë akuzat për përfshirjen e qeverisë në trafikun e drogës. Me kalimin e ditëve tensioni vjen e shuhet.
Pak javë më vonë, më 16 qershor, policia do të ndërmarrë një operacion të gjerë në Lazarat, një territor i konsideruar i paprekshëm për vite me radhë. Mbi 500 forca policie u angazhuan dhe mbajtën fshatin të rrethuar, duke fituar territor ditë pas dite, ndërsa nuk mungoi rezistenca e armatosur. “Mos mendoni kurrë se ka zot në tokë, që mund t’I dali zot atyre që qëllojnë kundër policisë”, u shpreh ministri Brendshëm Saimir Tahiri.
Opozita u shfaq dyshuese ndaj operacionit. “Ky aksion apo cdo aksion tjetër kundër narkotrafikut, të mos I lihet në dorë këtij kryeministri, apo atij që ka si ministër të Brendshëm”, than ë parlament kryetari I grupit parlamentar democrat, Edi Paloka. Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha do të akuzonte se “të gjithë bosët e drogës së Lazaratit, janë përjashtuar nga lista e kërkimit”.
Gjatë ndërhyrjes një polic dhe dy barinj u plagosën ndërsa një trupë e televizionit A1 Report u sulmua.
Më 19 qershor policia hyri në qendër të fshatit. Kontrollet shtëpi më shtëpi zbuluan arsenale të tëra armësh, mbi 130 mijë rrënjë cannabis sative, 70 ton hashash, e laboratore droge.
“Ajo republikë e turpit politik dhe shtetëror nuk ekziston më”, deklaroi kryeministri në përfundim të operacionit. Dy muaj më vonë një aksion i ngjashëm përfshiu dhe veriun e vendit, ku gjithashtu pati rezistencë të armatosur. Një helikopter i policisë u detyrua të bëjë edhe ulje emergjence pasi u qëllua.
DEBATI PËR REFORMAT
DHE STATUSI NË BE
Një ndër reformat më të rëndësishme ishte ajo e riorganizimit të ri administrative-territorial, një proces në të cilin opozita nuk mori pjesë. Qeveria ndërkohë ndërmorri reforma në sistemin universitar e të pensioneve si dhe nisi një ndërhyrje të fortë në sektorin e energjisë, me një operacion të gjerë kundër vjedhjeve. Ndërsa në muajt e fundit të viti mori jetë një tjetër process, ai i reformës në Drejtësi
Për ndarjen e re administrative shumica premtoi një komision dy palësh, ku opozitës i njihej e drejta “e bashkëkryesimit të komisionit, përfshirë edhe veton”, deklaroi kryeministri Edi Rama, më 22 janar.
Por për opozitën vetëm barazia në komision nuk ishte e mjaftueshme. “Ta implementojmë parimin e votës me konsensus në aulën e parlamentit”, u kundërpërgjigj kryetari demokrat Lulzim Basha, me në krah të gjithë aleatët e vet.
Komisioni parlamentar i miratuar në 23 Janar do të mblidhet për herë të parë pas dy javësh. Mungesa e opozitës do e shtyjë disa muaj punën. Kryeministri dhe kreu i opozitës shkëmbejnë letra publike, e ftesa për takime që nuk do të realizohen.
Në Prill shumica deklaron se nuk do të presë pa fund opozitën. Kjo e fundit paralajmëron protesta.Për të zhbllokuar punën e komisionit ndryshon përbërja e tij. Procesi i reformës ka marrë ndërkohë dhe mbështetjen dhe ekspertizën e disa organizmave dhë partnerëve ndërkombëtarë të vendit. Më 16 Maj, qeveria ofron 5 variante, me nga 30 deri 63 bashki në të gjithë vendin. Në fund, do të miratohet një tjetër model i rishikuar, me 61 bashki pasi plotësohen disa kërkesa të PDIU-së, e cila theu betimin e opozitës, duke i dhënë shumicës qetësinë e numrit të votave.
Opozita e cila në qershor bën disa propozime të saj vlerëson se “kjo ndarje nuk i shërben as vendit dhe as qytetarëve”, u shpreh zoti Basha. Reforma do të kalojë në seancën e fundit të sesionit parlamentar, ku në mungesë të opozitës i vetmi debat do të jetë për Himarën
Opozita e cilëson një hartë elektorale dhe të papranueshme. Ajo e con cështjen në gjykatën kushtetuese, ndërsa presidenti Nishani ja riktheu më parë parlamentit. Gjykata rrëzon ankimin e demokratëve më 15 dhjetor. Në të njejtën ditë Kreu i shtetit dekreton 21 qershorin 2015, si datën e zgjedhjeve vendore që do të mbahen sipas ndarjes së re. Demokratët nuk ndryshojnë qëndrim. “Partia demokratike nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë kurrë këtë hartë të turpshme të dyshes Rama- Meta”, nënvizoi më 15 dhjetor kryetari I PD-së.
ENERGJIA
Në janar Qeveria vendosi ngritjen e një task-force për të vënë rregull në sektorin e energjisë, i dërrmuar ndër vite nga vjedhjet e shumta dhe mospagesat. “Historia se kush nuk paguan mund të vjedhë gjithnjë e më shumë, duhet dhe do të marrë fund”, paralajmëroi kryeministri.
Por vrulli i task-forcës zgjati vetëm pak javë. Ndërhyrja e vërtetë do të nisë vetëm në fund të tetorit, ndërsa më parë parlamenti kishte miratuar ndryshime dhe në kodin penal ku përvec dënimit me burg nuk ka më alternativë tjetër. “Kanë 5 ditë kohë, që të rikthehen në binarët e ligjit”, deklaroi kryeministri më 22 Tetor.
Qindra persona, mes të cilëve pronarë biznesesh të vogla, por dhe punonjës të operatorit të shpërndarjes u arrestuan. Qeveria ndërkohë ofroi mundësinë e pagesës me këste për faturat e vonuara. Sportelet u përballën me një dyndje njerëzish.
Që më herët qeveria kishte parlajmëruar një ndërhyrje të thellë në këtë seltor. Në qershor u mbyll me mirëkuptim mosmarrëveshja me cekët e CEZ. Opozita do flasë për një aferë korruptive, por sipas autoriteteve, sektorit ju hap rruga e investimeve. Në 3 nentor firmoset kredia 150 milion dollarëshe me Bankën Botërore, ndërkohë që debate të forta shkaktoi paralajmërimi për ndërhyrje në strukturën e cmimit përmes heqjes së fashës prej 300 kilowatësh me tarifë favorizuese. “Eshtë tek fasha që ne do të synojmë të celim rrugën e reformës”, shpjegoi zoti Rama. Por opozita kërkoi që “të ndalë cdo tentativë për rritjen e cmimit të energjisë elektrike”, deklaroi zoti Basha.
Më 26 Dhjetor Enti Rregullator I Energjisë cakton cmimin e ri fiks prej 9.5 lekësh.
DREJTËSIA
Drejtësia si gjithnjë ishte temë e debatit të zjarrtë. Deklarimeve të shumicës për nisjen e një reforme të drejtësisë Presidenti Nishani i parapriu më 16 janar, me paralajmërimet se “marrja e sistemit të drejtësisë nën kontrollin politik është forma më e lartë e korrupsionit”. Shumica asnjëherë nuk e fshehu mosbesimin ndaj tij. “Nuk besoj se ka njeri në këtë sallë se hamendëson se sot ne kemi një President të Republikës, që gdhihet e ngrys ditën duke u përpjekur të reformojë e për mirësojë me rrënjë sistemin e Drejtësisë”, deklaroi më 31 janar në parlament, kryetari i komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj.
Me radhë kandidaturat e tij për anëtarë të gjykatës së lartë do të rrëzohen përgjatë gjithë vitit, ndërsa përplasjet do të jenë të shumta, kurdoherë që do të paraqitet rasti.
Ministri i Drejtësisë Nasip Naco do të jetë në përplasje të përhershme me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. “sistemi i Drejtësisë në Shqipëri është kthyer në një rrjet ku gjyqtarët mbrojnë njëri-tjetrin në kundërshtim me ligjin”, u shpreh në 8 korrik ministri Naco. “Ministri gënjeu publikisht kur tha se nuk ka trasparencë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, u kundërpërgjigj në të njejtën ditë zëdhënësi I KLD-së.
Shumica ndërmerr ndryshime në ligjin për KLD-në, të cilat miratohen në fund të Korrikut. Në Shtator një grup deputetësh kërkojnë shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së Elvis Cefa dhe të anëtarit Lulzim Lelcaj. Më pas ngrihet një komision hetimor. Polemikat janë të shumta, por shumica pas një muaji, më 23 tetor do të votojë shkarkimin e tyre.
Ndërkohë duket se merr udhë dhe reforma në Drejtësi. Një tryezë e presidentit Nishani mbledh më 6 Tetor, të gjithë aktorët. “Në Shqipëri ka një korporatë e cila shet e blen Drejtësinë”, u shpreh zoti Rama. Ndërsa kreu i opozitës, nga e njejta tryezë do të kërkojë që “Qeveria të mbajë duart larg nga gjyqësori”.
Pas disa tryezave të tjera, në dhjetor do të ngrihet edhe komisioni parlamentar për reformën
STATUSI KANDIDAT
Pas katër refuzimesh radhazi qershori i 2014 ishte provimi i radhës për cështjen e statusit të vendit kandidat. Lëvizjet mes Tiranës dhe Brukselit do të jenë të shpeshta. Ndërsa kryeministri dhe ministrat e tij ndërmarrin një tur vizitash në kryeqytetet e vendeve të cilat dhjetorin e kaluar kishin shfaqur skepticizëm të hapur. Në Berlin, më 1 Prill, ai merr mbështetje të hapur nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Në qershor nga Tirana, komisioneri Fyle rikonfirmon “rekomandimin se shtetet anëtare duhet t’i japin Shqipërisë statusin kandidat”. Këtë herë “është një rekomandim i pastër, pa asnjë presje pas PO-së”, nënvizon kryeministri Rama.
Vendimi pritet në fund të muajit. Në Paris kryeministri Rama merr dhe mbështetjen e Francës nga presidenti Francois Hollande.Më 24 qershor, pasi janë kapërcyer dhe pengesat e fundit me Spanjën dhe Cekinë, ministrat e jashtëm të vendeve anëtare konfirmojnë dhënien e Statusit.
Për vendin do të nisë një sfidë e re
DRONI DHE RAMA
NË BEOGRAD
Një nga meritat që Shqipërisë i është njohur gjithnjë, është roli i saj në Ballkan. Kryeministri Edi Rama i kushtoi një vëmendje të posacme rritjes së peshës së vendit në rajon. Në konferencën e udhëheqësve ballkanik, organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, ku Tirana ishte propozuesja e dokumentit bazë të takimit, zoti Rama njoftoi dhe vizitën e tij të ardhshme në Beograd, e para pas 68 vitesh
Por në Ballkan paqja ende nuk mund të merret si e mirëqenë. Ndeshja e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd rindezi nacionalizimin e egër. Në stadium thirrjet për të vrarë shqiptarët nuk rreshtën. Ndërsa loja ishte ndërprerë për shkak të objekteve të hedhura në fushë, shfaqja në qiellin e stadiumit, të një droni me simbole shqiptare e ktheu ndeshjen në një sulm të paprecedentë ndaj lojtarëve shqiptarë.
Propaganda serbe veproi me shpejtësi për ta përkufizuar gjithshka si një provokim për shkak të dronit, i cili madje sipas tyre ishte komanduar nga vëllai i kryeministrit. Për Zërin e Amerikës, nga Bostoni, zoti Rama tha se “ne jemi krenar që nuk kemi asnjë lidhje me cfarë u shfaq në formën e vet më të egër dhe më negative si një shëmbëlltyrë e së shkuarës, të cilën ne jemi të vendosur ta lëmë prapa”.
Dhe pavarësisht retorikës së rënduar serbe dhe shkëmbimeve të notave të protestave mes palëve, kryeministri nuk hoqi dorë nga vizita në Beograd. Ajo vetëm do të shtyhet me tre javë, pas trysnisë ndërkombëtare mbi kryeministrin serb.
Tensioni është në ajër në mjediset e pallatit Srbia, më 10 Nëntor, ku deklaratat e zotit Rama për Kosovën do të shfaqen si një dron i dytë për serbët. “Pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm. Cdo perceptim i ri i Serbisë lidhur me këtë cështje, është më shumë se sa i mirëpritur prej nesh”. Kryeministri Vucic, i skuqur në fytyrë deklaron se “dua të shpreh pakënaqësinë time të thellë për këtë provokim në këtë konferencë shtypi”.
Gjakrat do të zbuten me kalimin e orëve dhe në mbrëmje të dy kryeministrat do të darkojnë së bashku. Të nesërmen zoti Rama do të jetë në Preshevë ku shqiptarët e atjeshëm i rezervojnë një pritje tejet entuziaste, ndërsa në të gjithë trevat shqiptare në rajon, vizita në Serbi shihet gati si fitorja e një beteje.
BOJKOTI DHE
ZGJEDHJET NË PD
Por ndërsa zoti Rama i mëshon paqes së qëndrueshme në Ballkan, në shtëpinë e tij, paqja politike nuk është aspak e lehtë. Në pjesën e parë të vitit, opozita braktisi disa herë punimet e parlamentit, dhe nisi një bojkot të gjatë në korrik pasi deputeti i saj Gent Strazimiri u sulmua në korridoret e parlamentit nga dy deputetë socialistë.
Edhe fillimi i sesionit të ri parlamentar e gjen opozitën jashtë parlamentit. “Ne nuk do të shkojmë në një vend ku opozita, nuk dëgjohet, nuk replikohet por dhunohet fizikisht”, deklaron kreu democrat më 1 Shtator.
E djathta akuzon shumicën se ka përfshirë në parlament element me të kaluar kriminale dhe e kushtëzon rikthimin e saj dhe me cështje të tjera të ngritura prej kohësh si respektimi i vendimeve të gjykatës kushtetuese dhe ngritja e komisioneve hetimore të kërkuara prej saj. Kryeministri thotë më 29 Shtator se është i gatshëm për plotësimin e tyre “por vetëm askush të mos na kërkojë të bëjmë babysitterin e opozitës”.
Në tetor parlamenti do të miratojë ngritjen e komisioneve hetimore dhe bie dakort edhe për ndryshimin e rregullores, për kohën në dispozicion të opozitës.Por as kjo lëvizje nuk i bind demokratët të cilët kërkojnë garanci ndërkombëtare. Më 22 nëntor opozita do të organizojë një protest të madhe në Tiranë. “Kur shkelet kontrata me popullin, nuk është populli ai që bie, por jepet dorëheqja ose rrëzohet qeveria”, deklaron zoti Basha në fjalën e tij gjatë protestës.
Në dhjetor, për ndërmjetësimn mes palëve përfshihet parlamenti europian. Përfaqëuesit e dy grupeve kryesore vijnë njëri pas tjetrit në TIranë. Në fillim eurodeputeti Knut Fleckenstein, e pak ditë më pas Eduard Kukan, i cili i paraqet palëve dhe një propozim konkret, i cili përmban shqetësimet e ngritura nga opozita në këmbim të rikthimit të saj në parlament. Kur u duk se gjithshka ishte përmbyllur demokratët kërkojnë të bëjnë shtesa në tekst dhe vetëm në mesnatë e firmosin pa ndryshime.Të nesërmen opozita rikthehet në parlament, në limitet kohore për mosdjegien e mandateve.
Pati mjaft analiza sipas të cilave bojkoti i zgjatur ishte një mënyrë e kryetarit Basha për të mbajtur të shtrënguar radhët e partisë, ku zërat kundër po dilnin më hapur. Procesi i zgjedhjeve dhe rinovimit të strukturave zgjati gati një vit e gjysëm nga zgjedhja e tij si kryetar. Pas shumë shtyrjesh kuvendi i demokratëve u mblodh në shtator, ku u fol dhe për ndjesë ndaj gabimeve në vitet e pushtetit. “Një pjesë e përfaqësuesve tanë në qendër e në periferi u lodhën nga qeverisja”, tha zoti Basha.
Zoti Basha ndryshoi modelin e strukturave drejtuese, duke i zgjeruar në numër, ndërsa shtyu në kohë edhe zgjedhjen, më 30 Nëntor, të kryesisë së re, e re thuajse në të gjitha kuptimet, në formë dhe në emrat e përfaqësuar në të. Një përpjekje për të vendosur qartë gardhin rreth shtëpisë së cilës i ka dal për zot.
VIZITA E PAPES
Përtej debateve, ka një moment të vecantë gjatë 2014, vizita e Papa Francescut, I cili zgjedh të vijë në Shqipëri, në të parën vizitë të tij në Europë. Për 24 orë, Shqipëria do të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare
Ati i Shenjtë do të zbresë në tokën shqiptare mëngjesin e së dielës 21 shtator. Rruga nga aeroporti deri në qendër të Tiranës do të jetë e mbushur me njerëz, të të gjitha besimeve, të cilët kanë dalë për të parë nga afër dhe për të përshendetur Papa Franceskun.
Në bulevardin qëndror ku ai kalon janë vendosur portretet e 40 klerikëve të martirizuar nga regjimi komunist. Dëshmitë e dy të mbijetuarve nga tmerret e diktaturës do të përlotin Atin e Shenjtë.
Mes entuziasmit të mijërave shqiptarëve Papa bën dy herë xhiron e Sheshit Nënë Tereza ku ai do të mbajë më pas dhe meshën e së dielës. Ati i Shenjtë vlerëson tolerancën fetare në Shqipëri dhe duke iu referuar shqiponjës, simbolit të flamurit shqiptarë, u kujton shqiptarëve që ashtu si shqiponja të fluturojnë lart, ndërsa i uron atyre “Paqe në zemrat tuaja, Paqe në kombin tuaj. PAQE”.
XS
SM
MD
LG