Lidhje

Lëkurë artificiale e ndjeshme


Shkencëtarët kanë arritur vitet e fundit mjaft sukses në krijimin gjymtyrëve artificiale, por këto gjymtyrë ende kanë një pamje artificiale dhe përdoruesi i ndien si të tilla. Një zbulim në Korenë e Jugut mund ta ndryshojë këtë. Shkencëtarët thonë se kanë prodhuar një lëkurë sintetike, që jo vetëm të bën të ndihesh ngrohtë por edhe të jep ndiesinë e kontaktit dhe të lagështisë.

Duart artificiale po përmirësohen gjithnjë e më shumë dhe po u ngjajnë duarve të vërteta. Madje, disa prej tyre mund të kontrollohen nga truri.

Por njerëzve që përdorin duart bionike, u duhet të mbështeten tek sytë për të ditur se çfarë po prekin.

Studiuesit në Korenë e Jugut dhe në SHBA thonë se kanë krijuar një lëkurë artificiale që mund të shtrihet dhe të ndiejë ngrohtësinë, presionin dhe lagështinë.

Ky material elastik me bazë polimeresh nuk është projektuar për të zëvendësuar lëkurën e dëmtuar të njeriut, si në raste diegiesh, por për t'u dhënë aftësi shqisore protezave ose gjymtyrëve të robotëve humanoidë.

Drejtuesi i ekipit Kim Dae-Hyeong, profesor në Universitetin Kombëtar të Inxhinierisë Kimike dhe Biologjike të Seulit, thotë se sensorët në këtë material janë kopje e saktë e lëkurës njerëzore.

"Lëkura mund të ndiejë presionin, temperaturën, tendosjen dhe lagështinë. Ajo është e butë si lëkura e njeriut. Brenda saj ka elementë ngrohës."

Zoti Kim thotë se lëkura artificiale është krijuar nga një kombinim i gomës, poliamidit dhe silikon me densitet të lartë sensor.

Një dorë artificiale e mbështjellë me lëkurë të re mund të dallojë mes objekteve të thatë dhe të lagësht si dhe të ndiejë presionin.

Por, zoti Kim thotë se ende nuk është e mundur t'i dërgohet asaj një sinjal nga truri. Kjo, thotë ai, është një synim i largët i shkencëtarëve.

"Shpresoj se një gjymtyrë robotike me këtë lëkurë sintetike mund të përdoret nga njerëzit me aftësi të kufizuara. Për përdorime industriale, ajo mund të aplikohet në llojet e ndryshme të robotëve, si robotët humanoidë."

Shkencëtarët thonë se me këtë lëkurë të ndjeshme, robotët mund të jenë në gjendje një ditë të shkruajnë në tastierë dhe madje të ndërrojnë pelenat e lagët të foshnjës.

XS
SM
MD
LG