Lidhje

Sulmi terrorist në Paris


Udhëheqës botërorë dhe mbështetës të fjalës së lirë në mbarë globin dënuan menjëherë sulmin e të mërkurës ndaj gazetës satirike franceze “Charlie Hebdo”, gjatë të cilit u vranë nëntë gazetarë dhe dy policë, dhe një numër personash mbetën të plagosur. Gazeta e përvjashme, e cila satirizon shpesh fetë e ndryshme të botës, pati publikuar karikatura të Profetit mysliman Muhamedit.

Njerëzit dolën në rrugët e Francës dhe Spanjës për të treguar mbështetjen e tyre për gazetarët e vrarë gjatë një sulmi brutal ndaj gazetës satirike “Charlie Hebdo”. Gazeta kishte satirizuar Profetin mysliman Muhamed.

“Është një gazetë me një nivel të lartë lirie, me pavarësi të lartë. Është kjo pavarësi që është vënë në shënjestër, pavarësia e shtypit, dhe ky është thelbi i gazetarisë dhe i asaj për të cilën ne studiojmë. Po përgatitemi të bëhemi gazetarë dhe për ne kjo është e papranueshme.”

Dy persona me maska, të veshur në të zeza dhe duke mbajtur armë luftarake, mësyen në zyrat e gazetës ndërkohë që gazetarët po merrnin pjesë në takimin editorial të mëngjesit, dhe hapën zjarr përpara se të largoheshin. Të mbijetuar thanë se i dëgjuan ata të thonin se Profetit Muhamed i ishte marrë haku.

Udhëheqës botërorë, përfshirë kryeministrin britanik David Cameron, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin amerikan Barack Obama, e cilësuan sulmin si “barbar dhe burracak”.

“Vlera që ndajmë me popullin francez, besimin universal në lirinë e shprehjes, është diçka që nuk mund të heshtet për shkak të dhunës së pakuptimtë të pak personave.”

Sulmi i të mërkurës ishte një ndër sulmet më të rënda terroriste të viteve të fundit të Evropë. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry i përkufizoi vrasjet si pjesë e një përballjeje më të madhe midis civilizimit dhe atyre që janë kundër lirisë dhe botës së qytetëruar.

“Ata mund të tundin armët, por ne në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara ndajmë një angazhim të përbashkët ndaj atyre që mbajnë diçka që është shumë më e fuqishme: jo thjesht një penë, por një penë që përfaqëson një instrument të lirisë, dhe jo të frikës.”

Mijëra njerëz kanë shprehur mbështetjen e tyre përmes rrjeteve sociale Facebook dhe Twitter në mbrojtje të lirisë së shprehjes.

Udhëheqës myslimanë në Francë e dënuan sulmin si një veprim kriminelësh.

XS
SM
MD
LG