Lidhje

Franca në kërkim të gruas që ka lidhje me vrasjet masive


Policia franceze ka shtuar masat e sigurisë ndërkohë që vazhdon operacioni masiv në kërkim të një gruaje e cila ka lidhje me një nga të dyshuarit e vrarë përgjegjës për sulmet terroriste në Paris. Hayat Boumeddiene është e dashura e Amedy Coulibaly-it, personi që mbajti pengje në një dyqan ushqimesh në Paris.

Kërkimet pasojnë tre ditë terrori në Francë ku u vranë 17 njerëz, duke përfshirë tre policë. Frikës dhe panikut i erdhi fundi dje kur policia franceze vrau tre të dyshuar në dy operacione të ndara.


Autoritetet franceze thonë se dy vëllezërit e dyshuar për sulmin ndaj revistës satirike Charlie Hebdo u vranë dje dhe një peng u lirua gjatë operacionit të policisë në veri të Parisit. Dymbëdhjetë persona u vranë të mërkurën në sulmin ndaj revistës franceze.

Policia dje kreu një operacion tjetër në një dyqan në Paris, ku ata vranë një tjetër person të armatosur që kishte vrarë katër blerës. Autoritetet po përpiqen të kapin 26 vjeçaren Hayat Boumeddiene, e dashura e të dyshuarit Amedy Coulibaly, i cili dje vrau katër blerës në një dyqan për hebrenjtë në Paris, para se të vritej nga policia.

Njoftohet se ajo kishte ikur nga vendngjarja pas kaosit të krijuar nga ndërhyrja e forcave të sigurisë për të liruar pengjet.

Amedy Coulibaly ishte i lidhur me vëllezërit Cherif dhe Said Kouachi, të dyshuarit për sulmin vdekjeprurës të së mërkurës ndaj revistës satirike Charlie Hebdo.

Duke folur për gazetarët mbrëmë, Presidenti francez Francois Hollande falënderoi forcat e sigurisë që i dhanë fund përballjes me sulmuesit dhe neutralizuan terroristët.

“Dua të përshëndesë guximin, trimërinë, efikasitetin e pjesëtarëve të policisë dhe xhandarmërisë dhe të gjithë ata që janë përfshirë në këto operacione. Unë dua t’u them atyre se ne jemi krenar me ta sepse kur iu dha sinjali, ata kryen operacionet menjëherë dhe me sukses. Ata e bënë këtë për të shpëtuar jetën e qytetarëve dhe pengjeve. Ata e bënë këtë për të neutralizuar terroristët, ata që kishin bërë vrasje".

Një marshim është planifikuar të mbahet nesër në Paris për të treguar unitetin kombëtar, dhe pritet të tërheqë udhëheqës nga shumë vende evropiane duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Britaninë, Italinë dhe Spanjën.

XS
SM
MD
LG