Lidhje

Politika për kontrollin e punës së policisë


Përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga policët në qytetin Ferguson të Missourit si dhe në disa raste të tjera në Shtetet e Bashkuara gjatë muajve të fundit, ka rinxjerrë në qendër të vëmendjes çështjen e procedurave që ekzistojnë për qytetarët për ngritjen e ankesave ndaj policisë. Materiali në vazhdim flet mbi përpjekjet e Departamentit të Policisë Metropolitane të qytetit Indianapolis në shtetin Indiana, për t’u dhënë shtetasve një zë në përpjekjen për të kontrolluar punën e policisë.

Justin Henry është një nga të 1 mijë e 500 oficerët e policisë që patrullojnë zonat brenda dhe përreth qytetit Indianapolis, ku jetojnë apo punojnë rreth një milion njerëz. Puna që ka e vë atë në kontakt me disa prej këtyre qytetarëve. Për një polic, çdo përballje gjatë detyrës është e ndryshme, shpesh e pasigurtë dhe nganjëherë e rrezikshme.

Shefi i policisë, Rick Hite, thotë se oficerët e tij përpiqen ta zbusin këtë rrezik duke marrë kontakte të shpeshta me banorët të cilëve u shërbejnë.

“Takohu me banorët para se të ndodhë një problem, që të mos jesh i panjohur për ta, kur ndodh diçka. Detyra jonë është të jemi të pranishëm për të zgjidhur problemin”.

Por kur një qytetar ka ndonjë ankesë ndaj një oficeri policie, shefi Hite informohet për këtë përmes zyrës së ankesave të qytetarëve ndaj policisë…

“Ne u ofrojmë qytetarëve një mundësi që zëri i tyre të dëgjohet dhe të merret në konsideratë, pasi polici nuk mund t’i trajtojë njerëzit si të dojë.”

Laura White kryeson zyrën, bordi i ankesave të së cilës përbëhet nga 9 civilë të emëruar. Po ashtu bordi përfshin tre oficerë policie, por ata nuk kanë të drejtë vote për rastet që shqyrtohen.

“Ne jemi një agjenci e pavarur e departamentit të policisë, si një mundësi që u jepet qytetarëve për të bërë ankesa, pas përballjes që mund të kenë patur policët.”

Zyra e ankesave në Indianapolis u krijua në vitin 1989 me një urdhëresë të bashkisë, për të siguruar një shqyrtim të pavarur të ankesave.

“Ata e shqyrtojnë ankesën, hetojnë dhe pastaj marrin një vendim, në se ka apo jo prova të mjaftueshme për të.”

Por rezultatet e një auditimi të vitit 2012, i kryer nga një firmë konsulente e kontraktuar nga bashkia, zbuloi se kishte kufizime serioze për paraqitjen e një ankese.

Laura White, e cila mori drejtimin e zyrës, pas auditimit, thotë se ajo beson se shifrat e fundit për vitin 2014 tregojnë se procesi funksionon.

Kishte ankesa për 110 oficerë dhe për 45 prej tyre janë marrë masa ndëshkimore, pra thuajse për 50 për qind të rasteve”.

“Prania e civilëve në proces, të krijon mundësinë që veprimet e policit të shihen nga këndvështrimi i jashtëm dhe kjo ndihmon në drejtësinë e shqyrtimit të ankesave”.

Cameron McEllhiney ka qenë anëtar i Bordit të Ankesave të Qytetarëve të Indianapolisit dhe tani ai shërben si Drejtor i Trajnimit për Shoqatën Kombëtare për Mbikqyrjen e Zbatimit të Ligjit për Civilët, ose NACOLE.

“Mendoj se mësimi që nxjerrim nga Fergusoni dhe nga rastet e tjera të ngjashme, është se agjencitë e zbatimit të ligjit, por edhe drejtuesit e bashkive dhe anëtarët e komunitetit e kanë kuptuar se ka ardhur koha që mbikqyrja e veprimeve të policisë duhet të bëhet para se të ndodhin ngjarjet e pakëndshme.”

Edhe pse procesi i ankesave dhe i rishikimit mund të krijojë vështirësi dhe pengesa për policin, apo departamentin ku ai bën pjesë, shefi Hite e mirëpret këtë mbikqyrje të kujdesshme.

“Ky është procesi i kontrollit dhe balancave. Dhe duhet të pranaojmë se ky është një proces i rëndësishëm”.

Një studim i vitit 2013 i Universitetit Fullerton të Kalifornisë tregon se mbi 100 departamente policie, shumë prej tyre në qytete të mëdha, kanë borde mbikqyrës me civilë. Ndërsa qyteti i New Yorkut e ka një të tillë, këshilli i qytetit Ferguson, në Missouri votoi vetëm shtatorin e kaluar për të ngritur një bord mbikqyrës civil.

XS
SM
MD
LG