Lidhje

Politikat fiskale të presidentit Obama


Presidenti Obama do të theksojë nevojën për rritje të taksave ndaj amerikanëve më të pasur gjatë Fjalimit mbi Gjendjen e Vendit që do të mbajë sonte para të dyja dhomave të Kongresit. Fjalimi i përvitshëm mbahet ndërkohë që demokratët e Presidentit janë në pakicë në Kongres.

Fjalimi i sotëm do të jetë i pari që mban presidenti që kur Republikanët morën nën kontroll të dyja dhomat e Kongresit pas fitoreve në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor.

Por zoti Obama po përjeton rritje të popullaritetit falë përmirësimit të ekonomisë dhe një numër vendimesh që janë pritur pozitivisht nga amerikanët.

“Nuk parashikoj që presidenti të dalë para Kongresit në pozita mbrojtëse edhe pse partia e tij i humbi zgjedhjet e nëntorit. Mendoj se ai do të ndihet i mobilizuar nga mënyra si u pritën vendimet e tij për imigracionin dhe politikat ndaj Kubës; pasi amerikanët pëlqejnë një president të vendosur, të gatshëm për të marrë vendime”.

Zoti Obama do të flasë për rritje taksash mbi fitimet që realizojnë individët, të cilët shesin zotërime si aksione, bono thesari apo pasuri të patundshme; eliminimin e shkurtimeve që janë zbatuar mbi taksat e pronës së trashëguar me vlerë prej miliona dollarësh, si dhe tarifa mbi firmat më të mëdha financiare në vend.

Presidenti synon t’i përdorë të ardhurat e realizuara nga këto masa, që pritet të arrijnë në 320 miliardë dollarë për 10 vjet, për të ofruar shkurtime taksash për klasën e mesme si dhe subvencionimin e studimeve universitare për të rinjtë amerikanë.

XS
SM
MD
LG