Lidhje

13 të vrarë nga një sulm në Donetsk


Ukraina fajësoi rebelët pro-rusë për vrasjen e të paktën 13 njerëzve gjatë një sulmi me artileri mbi një autobus në qytetin lindor të Donetskut. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry akuzoi separatistët pro-rusë për shkeljen e armëpushimit.

Në sulmin e sotëm në Donetsk u vranë të paktën 13 vetë dhe u plagosën disa të tjerë.


Autoritetet ushtarake ukrainase thanë se trupat ukrainase janë tërhequr nga aeroporti i Donetskut, i cili për shumë muaj ka qenë në qendër të një lufte për territor mes ushtrisë dhe separatistëve pro-rusë.

Dje, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry akuzoi separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore për shkeljen e një marrëveshje të mëparshme armëpushimi pas luftimeve të reja pranë kufirit rus.

"Pra, ky është një veprim i hapur për të pushtuar territor dhe është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me marrëveshjen e Minskut që ata e kanë nënshkruar".

Ukraina i lidhi luftimet e reja, kryesisht afër qyteteve lindore të Donetskut dhe Luhanskut, me dislokimin kohët e fundit të mijëra trupave të rregullta ruse në territorin e saj.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko përsëriti kërkesën që Rusia të mbyll kufirin e saj dhe të tërheqë të gjitha forcat që mbështesin rebelët.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se Rusia është e gatshme të ndihmojë për ndërmjetësimin e një armëpushimi të ri në Ukrainë, për t'i dhënë fund luftimeve, në të cilat janë vrarë rreth 5000 njerëz në nëntë muajt e fundit.

XS
SM
MD
LG