Lidhje

Sfidat madhore ndaj sigurisë globale


Cilat janë sfidat madhore ndaj sigurisë globale sot dhe çfarë strategjish duhet të hartojë Amerika në përgjigje të këtyre sfidave? Këtyre pyetjeve u përgjigjen dy ish-personalitete të larta të politikës amerikane, të dy ish-këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, John Snowcroft dhe Zbiniew Brzezinski në një seancë me pyetje-përgjigje para Komisionit për Shërbimet e Armatosura të Senatit amerikan. Kolegia Ardita Dunellari përgatiti një përmbledhje të diskutimeve:

Në diskutimin e sfidave globale dhe strategjisë amerikane për një të ardhme sa më të qëndrueshme, emri i Rusisë lakohet më tepër se i çdo vendi tjetër si burim destabiliteti, por edhe si potencial për zgjidhje krizash. Situata në Ukrainë është një sfidë madhore për stabilitetin, pohojnë dy ish-zyrtarët e lartë, por një problem që duhet trajtuar pa krijuar acarim të mëtejshëm dhe provokime të panevojshme:

“Rusia është një temë shumë e vështirë aktualisht, por mendoj se Lufta e Ftohtë nuk do të kthehet dhe ne nuk duhet të ndihmojmë në kthimin e saj. 53:40 Mendoj se duhet t’u kushtojmë vëmendje marrëdhënieve me Rusinë, pasi në radhë të parë nuk duam të shpërthejë një luftë bërthamore”.

Shqetësimi nga kapacitetet bërthamore ruse ngrihet edhe në diskutimin e ish-këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës Carter, Zbigniew Brzezinski:

“Ajo që është disi alarmante gjatë krizës së fundit është se Putini ka bërë kërcënime me armë bërthamore. Këto komente i ka shoqëruar me fluturime provokuese mbi gadishullin skandinav. Ai ka një damar shumë të rrezikshëm në karakterin e tij”.

Zgjidhja që propozojnë dy ish-personalitetet është një qëndrim i moderuar, por me një mesazh të qartë ndaj Rusisë se inkursione të mëtejshme në Ukrainë apo në Baltik do të ishin të papranueshme dhe do të sillnin pasoja. Zoti Brzezinski propozon dërgimin e një kontigjenti që do të dislokohej në një nga ish-republikant sovjetike të Baltikut për të parandaluar një ndërhyrje ushtarake të Rusisë në këto shtete:

“Sanksionet aktuale duhet të vazhdojnë derisa Rusia t’i zbatojë në realitet zotimet që bën për respektimin e sovranitetit të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, NATO dhe sidomos Shtetet e Bashkuara, duhet t’u ofrojnë ukrainasve armatime për mbrojtje. Unë i përmbahem mendimit se duhet t’ia bëjmë të qartë Kremlinit se Shtetet e Bashkuara mund të pranojnë një kompromis Lindje-Perëndim, ku Ukrainës t’i ofrohet integrim i mëtejshëm në Evropë, por jo antarësim në NATO”.

Dialogu me Rusinë dhe gjetja e një zgjidhjeje, që pranon deri diku kërkesat ruse, nuk bëhet thjesht për të shmangur acarime të mëtejshme me një fuqi bërthamore si Rusia, por edhe për të mundësuar një dialog më produktiv për një numër temash të tjera globale, ku Moska mund të luajë një rol pozitiv. Në analizën e dy ish-figurave të larta të politikës amerikane, fuqia ekonomike dhe politike, pozita gjeografike dhe sfera e saj e influencës e bëjnë Rusinë të pazëvendësueshme në gjetjen e zgjidhjeve për krizat globale më imediate, siç është stabilizimi i Lindjes së Mesme dhe lufta kundër ISIS.

“Amerika, Rusia dhe Kina duhet të diskutojnë së bashku mënyrat më të mira për të mbështetur shtetet më të moderuara në Lindjen e Mesme për të gjetur qoftë zgjidhje politike apo ushtarake. Ato duhet të nxisin angazhim më të madh të Turqisë, bashkëpunim nga Irani, i cili është një lojtar shumë i nevojshëm dhe mund të rezultojë shumë i vlefshëm, qëndrim më të rezervuar nga Arabia Saudite, pjesëmarrje nga Egjipti në përpjekje për të neutralizuar ekstremistët rajonalë”.

Strategjia në partneritet me fuqitë rajonale, që janë të ndikuara direkt nga sfida të caktuara, pra kanë interesa konkrete në gjetjen e një zgjidhjeje është zgjidhja së cilës i mëshojnë dy ish-këshilltarët e lartë. Një Amerikë që vepron në kokë të vet, në analizën e tyre, prodhon rezultate të paparashikueshme dhe zgjidhje të paqëndrueshme. Diskutimi i djeshëm ishte i pari në një seri seancash mbi sfidat globale që ka parashikuar të zhvillojë Komisioni i Senatit për Shërbimet e Armatosura.

XS
SM
MD
LG