Lidhje

Presidenti Obama viziton Indinë


Presidenti Barack Obama niset nesër për në Indi për bisedime me kryeministrin Narendra Modi për ndryshimet e klimës dhe lidhjet ekonomike.

Zoti Obama bëhet i pari president amerikan që merr pjesë në ceremoninë e Ditës së Republikës së Indisë, më 26 janar, që shënon ditën kur kushtetuta e vendit hyri në fuqi në vitin 1950.


Vizita e Presidentit në Indi përfshin edhe një takim dypalësh të nivelit të lartë dhe bisedime ekonomike mes udhëheqësve amerikanë dhe indianë të biznesit. Presidenti Obama kishte planifikuar të vizitonte edhe Taxh Mahalin e famshëm të martën por i anulloi ato plane për tëshkuar në Arabinë Saudite, pas vdekjes së mbretit Abdullah.

Marrëdhëniet SHBA-Indi

Partneriteti mes të dy vendeve pritet të rritet gjatë vizitës së presidentit Obama në Nju Delhi, e dyta gjatë presidencës së tij

Siç njofton korrespondentja Anjana Pasricha nga kryeqyteti indian, marrëdhëniet ishin dobësuar vitet e fundit, por kanë filluar të përmirësohen që kur kryeministri Narendra Modi erdhi në pushtet vitin e kaluar.

Kur tanket të dalin në rrugë dhe ushtarët të marshojnë në kryeqytetin indian në paradën vjetore që shënon Ditën e Republikës të hënën, një president amerikan do të jetë miku kryesor për herë të parë.

Në qendër të paradës është demonstrimi i forcës ushtarake të Indisë. Disa analistë theksojnë simbolikën e saj.

Gjatë vizitës së Presidentit Obama, të dyja vendet pritet të rinovojnë marrëveshjen 10 vjeçare të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes që përfundon në qershor.

C. Rajamohan me Fondacionin Vëzhgues të Hulumtimeve në Nju Delhi pret që të dyja palët të hedhin themelet për një partneritet të rëndësishëm strategjik, një një numër të gjerë marrëveshjesh. Ai thotë se kryeministri indian Narendra Modi kërkon të ndërtojë marrëdhënie më të ngushta me Uashingtonin të cilin e vizitoi katër muaj më parë.

“Do të shohim një angazhim më të madh nga të dyja palët për të zgjeruar bashkëpunimin ushtarak, për të filluar transferimin e teknologjisë dhe marrëveshje të bashkëprodhimit si dhe gjetjen e rrugëve për të punuar së bashku në rajon….kemi një qeveri këtu në Nju Delhi që është e përgatitur të ecë përkrah Shteteve të Bashkuara dhe nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara e kanë nuhatur këtë mundësi të re në Indi".

Bashkëpunimi tregëtar dhe në fushën e mbrojtjes është rritur ndjeshëm – në vitin 2013 Uashingtoni ia kaloi Rusisë si furnizuesi më i madh i armëve në Indi, e cila po shpenzon miliarda dollarë për të modernizuar forcat e saj të armatosura. Nju Delhi kryen më shumë manovra të përbashkëta ushtarake me Shtetet e Bashkuara se me çdo vend tjetër.

Ekspertët thonë se ndërsa do të duhet kohë të ndërtohet besimi në disa fusha, çështjet e sigurisë kufitare po i bashkojnë më shumë të dy vendet.

Chintamani Mahapatra në Shkollën për Studime Ndërkombëtare në Universitetin Jawaharlal Nehru në Nju Delhi citon shqetësime nga të dyja palët rreth një Kine më të sigurtë, një Afganistani potencialisht të paqëndrueshëm pas tërheqjes së trupave perendimore dhe shqetësimet rreth forcicmit të grupit ISIS.

“Indianët dhe amerikanët janë grindur për çështje ekonomike, çështje të të drejtave të pronësisë intelektuale, etj. dhe sigurisht në fusha si ajo e marrëdhënieve të jashtme si Pakistani, Kina dhe Irani të dy vendet nuk bien dakort 100 për qind. Por kur flitet për sigurinë dhe mbrojtjen nuk ka të ngjarë të kenë mosmarrëveshje. Ideja është të ketë një balancë të mirë, pozitive të pushtetit në Azi.”

Por jo të gjithë janë optimistë. Marrëdhëniet janë zbehur vitet e fundit dhe vetëm një vit më parë arritën pikën më të ulët pas arrestimit të një diplomateje indiane në Nju Jork.

Analisti i sigurisë Bharat Karnad nuk pret rezultate konkrete nga kjo vizitë dhe shton se India nuk ka të ngjarë të jetë e kënaqur me atë që mund të ofrojë Uashingtoni për transferimin e teknologjiës për pajisjet ushtarake si bashkëprodhimi i avionëve pa pilot.

“Siç e shoh unë, do të ketë më shumë deklarata, më shumë instrumenta të rinj, më shumë angazhime, por asgjë e konkrete të rëndësishme”.

Gjatë vizitës së tij të parë në Indi në vitin 2010, Presidenti Obama u tha ligjvënësve indianë se marrëdhëniet mes të dy vendeve do të jenë “përkufizimi i partneritetit të shekullit të 21-të”. Kjo mundësi nuk u shfrytëzua gjatë viteve të fundit. Mbetet për t’u parë në se kjo do të realizohet, ndërsa presidenti viziton Indinë për herë të dytë. Por optimizmi mbetet se vizita do të rigjallërojë marrëdhëniet mes dy vendeve.

XS
SM
MD
LG