Lidhje

Maqedoni, akuza ndaj drejtuesit të opozitës


Prokuroria publike maqedonase ka akuzuar drejtuesin e opozitës maqedonase Zoran Zaev për tentim dhune ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Zoti Zaev dyshohet ta ketë kërcënuar dhe shantazhuar kryeministrin Nikolla Gruevski. Ministria e Rendit bën të ditur se Zoran Zaev i ka kërkuar përmes telefonit kryeministrit maqedonas formimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohëshme dhe se në të kundërt, do të publikonte materiale komprometuese për bartës të funksioneve qeveritare. Prokuroria, megjithatë, nuk ka kërkuar masën e paraburgimit për zotin Zaev.

Ndërkohë, vetë kryeministri Nikolla Gruevski, e akuzoi po sot drejtuesin opozitar Zaev si bashkëpunëtor të shërbimeve të huaja sekrete; se ka siguruar biseda të jashtëligjshme telefonike të krerëve shtetërorë, për çka tha se disa janë të sakta e disa të sajuara.

Kryeminstri maqedonas paralajërmoi se do ta denoncojë në gjyq zotin Zoran Zaev dhe se ka dëshmi për përfshirjen e këtij të fundit në spiunazh dhe në përpjekje për marrjen e pushtetit me dhunë.

Nga ana tjetër, drejtuesi opozitar është shprehur se “drejtësia do të dalë në pah”, se ky është fillimi i kthimit të lirisë dhe demokracisë në Maqedoni. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që në kuadër të kushtetutës, t’i bashkohen kthimit të sundimit të ligjit.

XS
SM
MD
LG