Lidhje

Takimi në SHBA për ekstremizmin e dhunshëm


Shtetet e Bashkuara njoftuan për zhvillimin e një sërë takimesh rajonale dhe aktivitetesh të tjera për të nxitur përpjekjet ndërkombëtare kundër ekstremizmit të dhunshëm. Sekretari i Shtetit John Kerry diskutoi çështjen ditën e enjte kur delegatë nga më shumë se 60 vende u mblodhën në Uashington në kërkim të mënyrave për të ndaluar rekrutimin dhe radikalizimin nga ekstremistët.

Ndërkohë që vendet po përballen me mizoritë e Shtetit Islamik, Boko Haramit dhe grupeve të ngjashme, udhëheqësit botërorë po shqyrtojnë mënyrat për të luftuar ekstremistët e dhunshëm.

Kombet duhet të punojnë së bashku për të ndaluar mesazhet e urrejtjes të grupeve ekstremiste, u shpreh Sekretari i Shtetit Kerry.

“Idetë e helmatisura mund të vinë nga kudo, nga prindër, mësues, miq, predikues, politikanë, një femër tërheqëse në një faqe interneti radikale që josh njerëzit, ose i rekruton ata gjatë kohës që vuajnë dënim me burg.”

Një vend që po përballet me dhunën ekstremiste është Jordania, një nga pilotët e së cilës u kap në Siri nga militantët e Shtetit Islamik, dhe u dogj i gjallë duke përdorur ndërkohë mediat sociale për të demonstruar vdekjen e tij të dhunshme.

Ministri i jashtëm i Jordanisë, Nasser Judeh, thotë se ekstremizmi i dhunshëm nuk ka kufij fetarë.

“Nëse dikush kishte ndonjë dyshim nëse kjo do të ishte lufta jonë si myslimanë, apo lufta jonë e përbashkët si komunitet ndërkombëtar, ky dyshim tashmë ka rënë.”

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se më tepër se 20 mijë luftëtarë të huaj i janë bashkuar Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, nga të cilët të paktën 3400 nga vende perëndimore.

Për të luftuar rekrutimin nga grupet ekstremiste, Shtëpia e Bardhë po përpiqet të nxisë angazhimin e komunitetit për rritjen e ndërgjegjësimit dhe për të pikasur herët shenjat e radikalizimit.

Kjo është me rëndësi të veçantë për njerëzit që mund të gjenden në kurthin e komuniteteve të varfëruara, thotë Presidenti Obama.

“Aty ku nuk ka një rend drejt përparimit, pa mundësi arsimimi, pa mundësi të mbështetjes së familjes dhe pa mundësi të shpëtimit nga padrejtësia, poshtërimi dhe korrupsioni, aty ushqehet paqëndrueshmëria dhe rrëmuja, dhe i shndërron këto komunitete në terrene pjellore për rekrutim nga ekstremistët.”

Shtëpia e Bardhë thotë se udhëheqësit fetarë kanë rol thelbësor në luftën kundër dhunës së ekstremistëve, si në rastet e sulmeve vrastare muajin e kaluar në Paris.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Myftiu i Tiranës, i quajti ekstremistët e Shtetit Islamik, “përbindësha” që luajnë me besimin fetar të njerëzve.

“Kam dhimbje dhe ndjehem i tronditur nga barbaria e shekullit 21: vrasja që po bën ISIS e njerëzve të pafajshëm.”

Presidenti Obama ka kërkuar rreth 400 milionë dollarë fonde për Departamentin e Shtetit për të mbështetur partneritetet kundër terrorizmit, dhe krijimin e inciativave të reja, thotë këshilltarja e sigurisë kombëtare Susan Rice.

“Shtetet e Bashkuara do të ideojnë iniciativa të reja për të rritur kapacitetet e vendeve partnere në Afrikën Veriore dhe Sahel, për zhvillimin e strategjive kundër ekstremizmit të dhunshëm. Do të shqyrtojmë progresin tonë të ardhshëm me takime për t’u siguruar se përpjekjet tona do të jenë të koordinuara.”

Shtetet e Bashkuara dhe vendet partnere synojnë të rivlerësojnë progresin e tyre në luftën kundër ekstremizmit gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në muajin shtator.

XS
SM
MD
LG