Lidhje

Reforma e emigracionit në SHBA


Urdhëri ekzekutiv i Presidentit Obama për mbrojtjen nga deportimi të miliona emigrantëve pa dokumenta duhet të kishte hyrë në fuqi këtë javë, por është pezulluar pasi një gjykatës federal e bllokoi atë. Siç njofton korrespondenti Michael Bowman, beteja ligjore sapo ka filluar, dhe si mbështetësit ashtu edhe kundërshtarët e urdhrit të njëanshëm të presidentit nuk tregojnë shenja se do të lëshojnë terren.

Në komunitetet e emigrantëve ra një hije e zymtë gjatë seminarëve që po zhvilloheshin për të ndihmuar emigrantët pa dokumente të përfitonin nga urdhëri i presidentit. Kjo nismë është pezulluar tashmë. Në Arizona, Idalia Cervantes shpresonte se prindërit e saj të lindur në Meksikë do të mbroheshin nga deportimi.

“Jemi zemërthyer tani. E morëm vesh në mesnatë, dhe na filluan lotët.”

Pak orë më vonë erdhi dhe konfirmimi nga Shtëpia e Bardhë.

“Nuk do ta injorojmë këtë vendim të gjykatës federale. Pra, nuk do të pranojmë aplikime derisa të qartësohet kjo çështje.”

Sipas drejtorit për studime ligjore të Universitetit të Masaçusets, Paul Collins, do të duhet kohë për një zgjidhje përfundimtare.

“Ligji në të vërtetë nuk është bardhë e zi. Nëse do të çohej në Gjykatën e Lartë dhe ata do të pranonin të merreshin me çështjen, atëherë do të duhet rreth një vit kohë.”

Deri atëherë, do të mbizotërojë pasiguria për të huajt pa dokumente, si Steven Rodriguez, i cili u soll nga Meksika në SHBA kur ishte foshnjë, dhe nuk mundet të punojë ligjërisht tashmë që është në moshë madhore.

“Nëse dal të kërkoj punë, nuk më punëson askush.”

Kongresi nuk ka mundur të bjerë dakord për një plan reforme të sistemit të emigracionit, për të cilin pothuajse të gjithë mendojnë se duhet ndryshuar. Por, mosveprimi legjislativ nuk justifikon veprimin e tepruar ekzekutiv, thotë kongresmeni republikan Lamar Smith.

“Presidenti tha se do t’u jepte leje pune, leje qëndrimi, dhe të drejtën për të marrë përfitime nga qeveria federale. Kjo është pika ku unë mendoj se ai e teproi.”

Pavarësisht protestave, zyrtarët në shtetet që paraqitën padinë gjyqësore thonë se ata janë duke mbrojtur rendin kushtetues.

“Ky është një parim i rëndësishëm kushtetues që shtrihet përtej thjesht çështjes së emigracionit. Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk mundet të veprojë në mënyrë të njëanshme për asnjë çështje ligjore”, thotë Mark Brnovich, prokuror i përgjithshëm në shtetin Arizona.

Presidenti Obama nuk zmbrapset nga qëndrimi i tij.

“Mendoj se kemi me vete ligjin, dhe historinë në anën tonë. Ne do ta apelojmë këtë vendim. Do të jemi gjithashtu të përgatitur që ta zbatojmë këtë urdhër plotësisht sapo të qartësohet aspekti juridik.”

Deri në këtë moment, historiku juridik duket se favorizon pozicionin e zotit Obama.

“Gjykatat federale kanë qenë përgjithësisht në mbështetje të politikave të qeverisë federale për emigracionin, në veçanti kur janë paraqitur padi nga autoritetet e shteteve. Kështu që atyre do t’u duhet të bëjnë një betejë të fortë.”

Për grupimet e emigrantëve lind detyra të bindin emigrantët pa dokumenta të mos vetëizolohen, por të qëndrojnë të angazhuar.

“Unë do ta vazhdoj këtë betejë, ndërkohë që e di se kam të gjithë komunitetin që më mbështet, derisa të sigurohem se prindërit e mi do të qëndrojnë në këtë vend.”

XS
SM
MD
LG