Lidhje

Akuzat e Doshit, shpërthejnë polemikat


Deputeti i përjashtuar nga PS: Personi i paguar nga Meta për vrasjen tim ju rrëfye ministrit të Brendshëm. Braho: Doshi na tha se donin ta vrisnin njerëz të afërt me zotin Berisha. Kryetari i opozitës Basha: Meta të japë dorëheqjen

Në Shqipëri akuzat e deputetit Tom Doshi i cili u përjashtua dje nga grupi parlamentar socialist, kanë ngritur një valë të re polemikash. Kryetari i opozitës Lulzim Basha kërkoi dorëheqjen e kryetarit të parlamentit Ilir Meta i akuzuar se kishte porositur vrasjen e deputetit Doshi dhe të deputetit tjetër demokrat Mhill Fufi. Në një postim në Facebook zoti Doshi deklaroi dje se personi që duhet të kryente vrasjen i kishte treguar gjithshka ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të përgjithshëm të policisë, ndërsa shtoi se ai vetë kishte një video ku tregohen të gjithë detajet mbi planin për ta vrarë. Por kryetari i Komisionit të sigurisë Spartak Braho, tha se pretendimet e para të zotit Doshi kanë qenë rreth një personi të lidhur me ish kryeministrin Sali Berisha dhe se për këtë ishin vënë në dijeni drejtuesit më të lartë të institucioneve të sigurisë, ndërsa dy deputetët ishin marrë në mbrojtje

Vendimi i Partisë socialiste për të përjashtuar deputetin Tom Doshi pas deklarimeve të tij një javë më parë me tone kërcënuese ndaj kryeministrit Edi Rama, u duk se do të mbetej brenda gardhit të së majtës. Akuzat e lëshuara më pas nga deputeti Doshi për përpjekje për ta vrarë atë dhe deputetin tjetër demokrat Mhill Fufi, me porosi të kryetarit të parlamentit Ilir Meta, u dukën më tepër si një reagim ndaj qëndrimit të mbajtur nga një shumicë e cila te zoti Doshi dy vite më parë kishte mbështetur fitoren e saj elektorale në Veri të vendit.

Deputeti Doshi në fakt deklaroi se në ditët e ardhshme do të jepte më shumë detaje. Por duket se deklarata e fortë e ambasadës amerikane, e cila përshëndeti përjashtimin e tij si një person ndaj të cilit kishte "pretendime për përfshirje në aktivitete kriminale" e nxiti atë që të shkonte më tej. Në një deklaratë në Facebook, pasi mohon akuzat për lidhje apo përfshirje me akte kriminale, deputeti thotë se ka denoncuar që prej 5 muajsh planin për vrasjen e tij dhe deputetit Fufi dhe se personi që do të kryente vrasjen ka treguar të gjithë skemën përpara ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të policisë., “Jam i gatshem gjithashtu që ti vë në dispozicion ambasadave një video prej 37 minutash ku rrëfehet me detaje historia e ndekjes time prej disa muajsh nga kriminelet e paguar nga Ilir Meta. Le ta verifikojnë autenticitetin e videos dhe faktet tronditëse që pohohen aty”, shkruan deputeti Doshi ndërsa satëson se sipas tij, pak ditë më parë “është tentuar të vritet denoncuesi i skemës”. Zoti Doshi lë të kuptojë se personi që sipas tij ishte paguar për vrasje, ka preferuar të mos e kryejë por t’i rrëfehet atij për këtë.

Deputeti Doshi shkruan se kjo situatë e ka nxitur që të reagojë me tone të ashpra ndaj kryeministrit Rama, të cilin ai e akuzon se “ka bërë marrëveshje me krimin, për të mbajtur të pacënuar karrigen e tij të pushtetit. Votat e një porositësi krimesh nuk duhet të mbajnë PS në pushtet. Shantazhi vërtetë është ai që bën Meta”, shkruan zoti Doshi.

Që zoti Doshi ka paralajmëruar dhe ka denoncuar një tentativë për vrasjen e tij, e pranoi dje në mbrëmje edhe kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në parlament, Spartak Braho. Por sipas deputetit të Lëvizjes socialiste për Integrim, ai kishte deklaruar se atentati ndaj tij dhe deputetit Fufi po përgatitej “nga persona të afërt me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe më konkretisht kunati i tij z. Agim Rama, kishin ofruar shuma të konsiderueshme deri në 500 mijë euro për eliminimin fizik të tyre me qëllim destabilizimin politik të vendit duke synuar të fajësojnë për këtë akt Kryetarin e Kuvendit z. Meta”, u shpreh zoti Braho duke iu referuar pretendimeve që sipas tij kishte ngritur deputeti Doshi. Ai më tej sqaron se “për këtë çështje, u thirr Ministri i Brendshëm, Prokurori i Përgjithshëm, zoti Adriatik Llalla, të cilët u vunë në dijeni për informacionin dhe bisedën e bërë nga zoti Doshi dhe meqenëse kjo u vlerësua si një çështje që kishte të bënte jo vetëm me një akt kriminal, që po përgatitej, por edhe me shqetësimin se po vihej në rrezik jeta e deputetëve të mësipërm, ju kërkua atyre të zbardhej menjëherë kjo çështje si edhe të viheshin në mbrojtje të dy deputetët që pretendohej se ishin të rrezikuar për jetën”, nënvizoi zoti Braho.

Kryetari i Komisionit të Sigurisë nuk komentoi "deklaratat e ndryshme të deputetit Doshi të bëra në kohë të ndryshme sipas rrethanave dhe situatave politike", por kërkoi që “faktet e pretenduara prej tij, qofshin ato video e gjithçka tjetër të cila në qoftë se nuk dorëzohen sa më parë të sekuestrohen nga Policia dhe Prokuroria, së bashku me personat e tjerë të implikuar në këtë çështje t’i denoncojë duke iu drejtuar organeve të drejtësisë për të hetuar vërtetësinë e tyre, për t’i zbardhur sa më parë”.

Nga ana e tij, kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi mbrëmë se sipas tij “dyshja Rama-Meta, janë të zhytur në krim, vrasje e shantazh”. Ai shtoi se “Kryetari i parlamentit akuzohet për vrasje. Akuzohet se ka porositur vrasjen e dy deputetëve. Ai duhet të dorëhiqet menjëherë nga detyra që ushtron dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë për tu hetuar mbi akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë në politikën shqiptare në këto 25 vite”, u shpreh zoti Basha, duke shtuar se nga ana tjetër “më e pakta, kemi sot një kryeministër dëshmitar në krim”.

Në të gjithë këtë histori ka një të vërtetë, që si ministri i Brendshëm ashtu dhe Prokurori i Përgjithshëm, kanë qenë në dijeni të pretendimeve të deputetit Doshi se ndaj tij po përgatitej një atentat. Por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë asnjë shpjegim publik. Situata e krijuar duket se i ngjan filmave policesk, përsa kohë askush nuk di nëse është hetuar apo jo ndaj pretendimeve të deputetit Doshi dhe nëse ka patur apo jo të vërteta në ato cfarë ai ka denoncuar.

XS
SM
MD
LG