Lidhje

Netanyahu: Nuk kam ndryshuar idenë për dy shtete në Lindjen e Mesme


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mohoi të jetë tërhequr nga mbështetja e tij për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme.

Zoti Netanyahu shkaktoi polemika kur u shpreh një ditë para zgjedhjeve në Izrael se nuk mbështet zgjidhjen me dy shtete. Por sot kryeministri izraelit tha në një intervistë për rrjetin televiziv NBC News, se nuk është tërhequr nga politika e tij afatgjatë për ekzistencën krah për krah të dy shteteve, atij hebraik dhe atij palestinez.

“Unë nuk dua një zgjidhje me një shtet në Lindjen e Mesme, por jam për një zgjidhje me dy shtete, në paqe të qëndrueshme” - tha zoti Netanyahu. “Në se duam të arrihet paqja, duhet që udhëheqja palestineze të heqë dorë nga pakti me Hamasin dhe të angazhohet në negociata të vërteta me Izraelin”, - tha ai. Ai tha se me komentin i tij para zgjedhjeve që shkaktoi debate, ai donte të thonte se realiteti ka ndryshuar, që nga koha kur ai mbështeti idenë e dy shteteve në një fjalim të gjashtë viteve më parë dhe se në këto momente kushtet për dy shtete nuk janë pjekur. Zoti Netanyahu tha se Autoriteti Palestinez refuzon ta njohë shtetin hebraik dhe se militantët e Hamasit tani kontrollojnë Gazën.

Kryeministri izraelit tha gjithashtu në intervistë se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë aleatët më të mëdhenj dhe nuk kanë zgjedhje tjetër, veçse të bashkëpunojnë me njëri tjetrin.

Zoti Netanyahu tha se nuk ka folur në telefon me presidentin amerikan Barak Obama pas ditës së martë, kur fitoi partia e tij Likud në zgjedhjet parlamentare të Izraelit, por ai pret që të dy udhëheqësit të bien në kontakt së shpejti.

Sekretari i Shtetit John Kerry e mori në telefon zotin Netanyahu për ta uruar për fitoren.

Zgjedhjet e Izraelit u ndoqën nga afër në lidhje me ndikimin tek marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Mosmarrëveshjet për çështje të rëndësishme, përfshirë negociata për çështjen bërthamore dhe bisedimet e ngecura të paqes, kanë shkaktuar tensione mes të dy qeverive.

XS
SM
MD
LG