Lidhje

Rusia, Ukraina, dhe siguria globale


Mosbesimi i thellë ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë në lidhje me veprimet agresive të Moskës në Ukrainë po vë në rrezik sigurinë globale, thonë zyrtarë të lartë qeveritarë, dhe ekzistojnë shenja të pakta progresi drejt dhënies fund të konfliktit apo rindërtimit të marrëdhënies së përkeqësuar.

Rusia po rrit stërvitjet ushtarake, ndërkohë që NATO po tregon muskujt në Detin e Zi.

Në Ukrainën lindore, shkatërrimi i lënë pas prej luftimeve ndërmjet trupave qeveritare dhe rebelëve pro-rusë ndodhet kudo. Një marrëveshje armëpushimi e arritur në muajin shkurt në Minsk ka pak efekt ndërkohë që përplasjet vazhdojnë.

“Pakti është shumë i brishtë. Njerëzit nuk kanë besim”, thotë një banore e rajonit Luhansk.

Ajo që po ndodh në Ukrainë po ndikon të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë.

Në një forum në Uashington në lidhje me rolin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), Celeste Wallander e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së e akuzoi Rusinë se po vazhdon të armatosë dhe mbështesë separatistët në Ukrainë, duke shkatërruar kështu besimin e partnerëve për çështje kyçe të sigurisë globale.

“Kemi shumë çështje për të cilat duam të bashkëpunojmë me Rusinë, si: Irani, Siria, dhe mospërhapja e armëve. Këto janë çështje të rëndësishme. Por, na duhet një partner të cilit t’i besojmë.”

Ambasadori i Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olexander Motsyk, u ul gjatë takimit në krah të homologut të tij rus, Sergey Kislyak. Por, dasitë dhe mosbesimi i thellë ishin të dukshëm.

“Kjo luftë duhet ndaluar tani në mënyrë që mos të ketë efekt në Moldavi dhe Gjeorgji, dhe që të mos përhapet në Balltik dhe në vende të tjera të cilat nuk janë të sigurta nga agresioni”, u shpreh ambasadori ukrainas.


“Argumentat se Rusia po krijon një kërcënim për shtetet balltike, siç u shpreh Olexander, janë të pabazuara. Janë imagjinatë. Por sidoqoftë, NATO vendosi të rigjallërojë prezencën e saj në kufijtë tanë.”

Të gjitha palët bënë thirrje që monitoruesve të OSBE-së t’u ofrohet qasje e plotë në zonat e konfliktit për t’u siguruar se po respektohen marrëveshjet e Minskut.

Por, Ukraina dhe Perëndimi thonë se Rusia po i bllokon; diçka që Moska e mohon.

Gjermania, e cila do të ketë kryesinë e OSBE-së vitin tjetër, thotë se kriza në Ukrainë kërcënon sigurinë transatlantike dhe sfidon vetë organizatën.

“Është e qartë se çështja e sigurisë evropiane dhe se si t’i rikthehemi ndërtimit të besimit do të jetë në krye të axhendës. Sigurisht, ajo çka ndodhi në Ukrainë ka vënë në dyshim thelbin e ekzistencës së OSBE-së, që është për bashkëpunimin dhe ndërtimin e besimit”, thotë ambasadori gjerman në OSBE.

Për SHBA-në, çështja mbetet se nëse mund t’i zihet besë Rusisë se do të respektojë marrëveshjet.

“A do të kërcënohet rendi evropian që e ka bërë kontinentin kaq të begatë dhe të sigurtë, nga veprimet e një vendi tepër të fuqishëm që duhet të ishte pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit?”

Kjo pyetje ngrihet ndërkohë që Presidenti rus Vladimir Putin organizoi një demonstratë masive për të festuar përvjetorin e aneksimit të Krimesë nga Rusia.

XS
SM
MD
LG