Lidhje

Zgjedhjet vendore në Francë


Votuesit francezë po votojnë sot në zgjedhjet lokale në vend. Zgjedhjet shihen si një mundësi për Marine Le Pen dhe partinë e saj të ekstremit të djathtë, Fronti Kombëtar, për të ndërtuar një bazë të përkrahësve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, ku zonja Le Pen pritet gjerësisht të kandidojë:

Sondazhet tregojnë se partia e ekstremit të djathtë, Fronti Kombëtar e drejtuar nga Marine Le Pen, është në garë të ngushtë me partinë socialiste në pushtet të presidentit Francois Hollande dhe partinë konservatore të kryesuar nga ish-presidenti Nikolas Sarkozi.

Fronti Kombëtar ka arritur të përfitojë nga çështjet politikisht eksplozive të emigracionit, integrimin e myslimanëve në shoqërinë franceze dhe dëshirën e partisë për të hequr dorë nga euro dhe për të kthyer frangën franceze.

Marine Le Pen refuzoi të bënte ndonjë parashikim për rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve dhe tha se qëllimi i partisë së saj është të tregojë se Fronti Kombëtar është një forcë politike me mbështetje të fortë në nivel lokal.

''Unë nuk kam bërë parashikime për këto zgjedhje, nuk do të bëjë parashikime në ditën e zgjedhjeve. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Qëllimi ynë është të tregojmë se Fronti Kombëtar është një forcë e madhe lokale dhe jo vetëm një forcë e aftë për të tërhequr miliona francezë në zgjedhjet kombëtare. Kështu që unë shpresoj se rezultatet e zgjedhjeve do të tregojnë se ne jemi bërë një forcë me një prani të madhe në zgjedhjet vendore'', tha zonja Le Pen.

Shumë votues mendojnë se vendi po vuan nga ndarjet e thella mes të majtës dhe të djathtës.

“Të gjithë janë të ngopur nga ndarjet mes të majtës dhe të djathtës dhe rezultatet e tyre nuk janë bindëse. Unë mendoj se politikanët e djathtë dhe të majtë kanë vështirësi me qeverisjen”, thotë votuesja Maryse Hartman.

Ndërsa shumë votues të tjerë janë kundër rritjes së ndikimit të partisë Fronti Kombëtar.

“Fronti Kombëtar është duke u rritur në vendin tonë dhe ne nuk duhet të lejojmë rritjen e mëtejshme të kësaj partie”, thotë votuesi Aurelian Didier.

Analistët thonë se Fronti Kombëtar në fund do të fitojë në vetëm disa zona zgjedhore. Në balotazhin e raundit të dytë më vonë këtë muaj, shumë votues konsevatorë dhe socialistë do të votojnë për partitë që do të mbajnë Frontin Kombëtar jashtë pushtetit.

XS
SM
MD
LG