Lidhje

Takim Obama-Ghani në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti Barack Obama njoftoi se SHBA do të ngadalësojnë tërheqjen ushtarake nga Afganistani, duke mbajtur atje 9.800 trupa deri në fund të vitit 2015 në vend të shkurtimit përgjysmë të trupave, siç ishte planifikuar fillimisht.

Afganistani mbetet një vend shumë i rrezikshëm, tha Presidenti Obama duke shpjeguar vendimin e tij në një konferencë shtypi pas vizitës së presidentit afgan Ashraf Ghani në Shtëpinë e Bardhë, e para që nga zgjedhja e tij gjashtë muaj më parë. Zoti Obama shtoi se madhësia e pranisë amerikane për vitin 2016 do të vendoset brenda këtij viti.

Zoti Ghani i kishte kërkuar Presidentit Obama të ngadalësonte tërheqjen sepse forcat e sigurisë afgane po përgatiten për një sezon të vështirë luftimesh në pranverë dhe përballen gjithashtu me luftëtarët e shtetit islamik që përpiqen të rekrutojnë njerëz në Afganistan.

Presidenti Obama tha se ai ende synon që tërheqja e trupave të përfundojë deri në fund të vitit 2016.

Zoti Ghani dhe shefi ekzekutiv Abdullah Abdullah, që drejtojnë qeverinë u takuan të hënën me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshi sekretarin e Shtetit John Kerry. Bisedimet synojnë përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe të tensionuara nga lufta dhjetë-vjeçare dhe përplasjet me ish presidentin afgan Hamid Karzai.

"Diskutimet tona të thella sot reflektojnë natyrën kritike për qeverinë afgane të unitetit kombëtar tani tërësisht përgjegjëse për sigurinë e njerëzve dhe shtytjen e reformave të hartuara. Në qendër të marrëdhënieve dypalëshe është ndarja e angazhimit për sigurinë dhe paqen dhe dëshira për të nxitur përparimin social dhe prosperitetin në mbarë Afganistanin."

Gati 9,800 trupa amerikane vazhdojnë të jenë të stacionuara në Afganistan për të këshilluar dhe stërvitur trupat afgane pasi forcat e fundit luftarake amerikane u larguan vitin e kaluar. Presidenti Barack Obama ka njoftuar planet për të shkurtuar nivelin e trupave në 5,500 deri në fund të vitit dhe më pak akoma në kohën kur ai të largohet nga posti në fillim të vitit 2017.

Zoti Ghani dhe zoti Abdullah do t’i kërkojnë zotit Obama të ngadalësojë nivelin e tërheqjes së trupave gjatë takimit që po zhvillojnë sot me presidentin.

Në një intervistë ekskluzive me gazetarin e Zërit të Amerikës Said Suleiman Ashna, zoti Ghani shpjegoi arsyet përse kërkon ndryshim në nivelin e trupave amerikane.

"Kur Afganistani po transferonte përgjegjësitë e sigurisë nga Nato tek Forcat afgane të Sigurisë Kombëtare, pata nderin të drejtoj procesin. Në atë kohë situata ishte ndryshe nga sot. Vendimi për të ndërmarrë një ofensivë ushtarake kundër militantëve në Vaziristanin Verior dhe Jugor as që mendohej dhe po ashtu as ndikimi që kjo do të kishte mbi Afganistanin. Së dytë kërcënimi i Shtetit Islamik as që mund të imagjinohej. Për më tepër, nga një pikëpamje cilësore, rrjetet terroriste janë transformuar dhe kanë filluar të përqëndrohen në Afganistan për arsye të ndryshme. Emri ynë historik “Khurasan” është një shenjë simbolike dhe jetësore për Shtetin Islamik. Duke konsideruar këtë mjedis dhe këto rrethana dhe duke patur në mendje interesat tona kombëtare dhe kërcënimin global, kemi patur një seri diskutimesh dhe kemi arritur një konkluzion të përbashkët."

Gjatë bisedimeve dje në vendpushimin presidencial Camp David, të dyja palët ranë dakord që administrata të kërkojë fonde për mbajtjen e forcave afgane të sigurisë në nivelin e tanishëm prej 352 mijë trupa deri në vitin 2017. Ata njoftuan gjithashtu një plan prej 800 milion dollarësh për Afganistanin për të inkurajuar reforma politike dhe të zhvillimit.

XS
SM
MD
LG