Lidhje

Cruz, i pari që shpall kandidaturën për 2016


Senatori republikan Ted Cruz i Teksasit, ishte i pari që shpalli zyrtarisht kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, kur deklaroi dje në një fjalim se do të hyjë në garën për president. Cruz do të jetë pjesë e një numri të konsiderueshëm kandidatësh republikanë, ndryshe nga Partia Demokrate që është përqendruar tek kandidatura ende e pashpallur e ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

Ted Cruz e shpalli kandidaturën para një turme të madhe dhe entuziaste në Universitetin Liberty në Virginia.

“Unë kam besim tek forca e miliona konservatorëve kurajozë që ngrihen për të rigjallëruar shpresën e Amerikës dhe është kjo arsyeja që sot po shpall kandidaturën për President të Shteteve të Bashkuara”.

Senatori Cruz tha se nëse zgjidhet, ai do ta shfuqizojë ligjin e Presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetësor. Përsa i takon politikës së jashtme, ai tha se do të ndërmarrë veprime agresive kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik”.

“Imagjinoni një president që thotë se do të përballet dhe do të mposhtë terrorismin radikal islamik dhe që nuk druhet ta quajë ashtu siç është”.

Zoti Cruz është një nga të favorizuarit e lëvizjes konservatore Tea Party pasi ishte në krye të përpjekjeve për mbylljen e pjesshme të qeverisë, si reagim ndaj ligjit të presidentit për kujdesin shëndetësor në vitin 2013.

Dhe ai është i pari mes shumë republikanëve që do të shpallin kandidaturën për vitin 2016.

Shumë prej tyre do ta bëjnë një gjë të tillë në javët në vazhdim, përfshirë ish-guvernatorin e Floridës, Jeb Bush, guvernatorin e Wisnconsit Scott Walker dhe senatorët Marco Rubio nga Florida dhe Rand Paul nga Kentucky.

Zoti Cruz shpreson që të ketë shanse të mira mes kandidatëve të shumtë republikanë. Ja ç’thotë analisti Matthew Dallek.

“Mes emrave në garë janë Rand Paul dhe Chris Christie dhe ndoshta John Kasich dhe sigurisht Ted Cruz dhe kandidatë të tjerë që nuk kanë dalë ende, por të gjitha këto janë figura interesante dhe me peshë dhe pres me padurim të shoh debatet mes tyre”.

Një numër i tillë i madh kandidatësh presidencialë do të sjellë energji, thotë strategjisti republikan Phillip Stutts.

“Nuk kemi pasur kurrë më parë një grup kandidatësh presidencialë si ai i 2016-ës. 12 ose 14 kandidatë që sjellin substancë, që kanë arritje”.

Edhe demokratët po presin muajin e ardhshëm për deklarimin e pritshëm të ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

XS
SM
MD
LG