Lidhje

Arabia Saudite drejton fushatën ajrore ndaj rebelëve në Jemen


Avionët luftarakë sauditë sot kryen sot sulme të reja ajrore kundër rebelëve Houthi në Jemen. Vendet Gjirit Arabik dhe të tjerët në rajon po përpiqen të ndihmojnë presidentin e Jemenit Abd-Rabbu Mansour Hadi, i cili ka përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar. Jordania, Egjipti dhe Sudani konfirmuan se forcat e tyre kanë marrë pjesë në këtë operacion, ndërsa ministria e jashtme e Pakistanit tha se është duke shqyrtuar një kërkesë nga Arabia Saudite për të dërguar trupa. Kanali televiziv al-Arabiya në pronësi të Arabisë Saudite tha se Arabia Saudite ka premtuar 150 mijë ushtarë dhe 100 avionë luftarakë për operacionet në Jemen.

"Ne ofrojmë falenderime dhe mirënjohje për mbështetjen e vëllezërve tanë në vendet e Gjirit dhe Egjipt. Edhe pse ndihma ishte pak e vonuar, ajo erdhi në kohën dhe vendin e duhur ".

Imazhe të shkatërrimit dhe viktimave nga shpërthimet filluan të dalin sot disa orë pas sulmeve që filluan një ditë më parë.


Ambasadori saudit në Shtetet e Bashkuara tha mbrëmë se dështimi i Jemenit nuk mund të lejohet.

''Kemi një situatë ku një grup kryengritës ka nën kontroll ose mund të arrijë të sigurojë raketa balistike, armë të rënda dhe forca ajrore. Nga ajo që kam lexuar mbi historinë, unë nuk kam dëgjuar të ketë patur një grup kryengritësish të pajisur me një forcë ajrore, ose të kenë vënë nën kontroll një forcë ajrore, prandaj kjo është një situatë shumë e rrezikshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur popullin dhe qeverinë legjitime të Jemenit''.

Rebelët morën nën kontroll një bazë ajrore në Jemenin jugor të mërkurën dhe më vonë bombarduan kompleksin presidencial në qytetin e afërt të Adenit.

Zyrtarët thanë se zoti Hadi ishte larguar nga ajo zonë, dhe vendndodhja e tij sot nuk është bërë publike.

Ministri i Jashtëm i Jemenit thotë se kontrolli i Jemenit nga militantët mund të ketë pasoja të mëdha për rajonin.

“Armiqtë e Jemenit nuk janë vetëm grupi Houthi, Abdullah Saleh dhe Irani por edhe koha, ajo nuk është në favorin tonë. Unë them se tani është e mundur një ndërhyrje e shpejtë për të shpëtuar Jemenin nga të panjohurat, një luftë civile apo nga shndërrimi në një vend iranain pranë Arabisë Saudite, i cili do të mund të kontrollonte ngushticën e Bab Al-Mandabit. Është më mirë të ketë një ndërhyrje tani me një kosto më të ulët. Nëse kjo vazhdon ata do të marrin nën kontroll Jemenin dhe largimi i tyre do të bëhej më i vështirë”.

Grupi Houthi, i cili besohet se ka mbështetjen e Iranit, ka marrë nën kontroll kryeqytetin e vendit dhe po lufton myslimanët e sektit suni dhe fise të tjera në përpjekjet për të zgjeruar autoritetin e tyre në të gjithë pjesën tjetër të vendit.

XS
SM
MD
LG