Lidhje

Irani dhe armatosja e rebelëve jemenas


Ministria e Jashtme e Iranit tha se qeveria kishte dërguar ndihma në Jemen por mohoi të kishte dërguar armë në vendin ku një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite po kryen goditje ajrore për të frenuar kryengritësit e mbështetur nga iranianët. Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA citonte zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme Marziyeh Afkham të thotë se akuzat për dërgim armësh për kryengritësit Houthi, ishin “krejtësisht të sajuara”. Ajo tha se avionë civilë kishin dërguar ndihma dhe ilaçe.

Ndërkohë, avionët e koalicionit vazhduan të bombardonin kryeqytetin Sana’a, përfshirë goditjen e një depoje armësh dhe shpërthime të fuqishme në atë zonë.

Një goditje tjetër po dje shkaktoi vdekjen e të paktën 45 vetëve dhe plagosjen e 65 të tjerëve pranë një kampi refugjatësh në Jemenin verior.

Punonjësit humanitarë thanë se bombardimet kishin vënë në shënjestër një kompleks ushtarak aty pranë në disktriktin verior të Haradhit, por rrethanat e sulmit ishin të paqarta.

Që nga e enjtja e kaluar, një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ka ndërmarrë bombardime ajrore në gjithë vendin kundër kryengritësve shiitë Houthi të Jemenit, por Ministri i Jashtëm i Jemenit Riyadh Yaseen fajësoi një goditje Houthi artilerie për viktimat e kampit të refugjatëve.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ata gjithmonë përpiqen të përdorin një mburojë njerëzore. Shiitët Houthi shkojnë në vendet ku ka njerëz ose banesa dhe i vendosin armët atje. Disa herë kur ka aeroplanë që vijnë, ata godasin zona residenciale apo kampe refugjatësh, në mënyrë që të fajësojnë avionët”.

Një zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare për Migrimin tha se nuk ishte menjëherë e qartë se sa prej të vrarëve ishin civilë apo personel i armatosur.

Pasi morën nën kontroll kryeqytetin Sana’a vitin e kaluar, kryengritësit përparuan drejt qytetit jugor Aden, qendra ekonomike e vendit të varfër.

Presidenti Abd-Rabbu Mansour Hadi e kishte deklaruar Adenin kryeqytetin e përkohshëm të vendit para se të arratisej për në Riyadh javën e kaluar. Rreth 100 vetë janë vrarë në Adan ditët e fundit.

Udhëheqësit e Lidhjes Arabe ranë dakord në Egjipt të dielën që të vazhdojnë fushatën ushtarake derisa kryengritësit Houthi të dorëzohen.

XS
SM
MD
LG