Lidhje

Kryengritësit huthi, marrin një bazë ushtarake në Jemen


Baza u mor pak kohë pasi që Arabia Saudite shpalli përfundimin e sulmeve ajrore kundër kryengritësve huthi.

Kryengritësit huthi morën nën kontroll shtabi ushtarak në Taiz, qyteti i tretë për nga madhësia i Jemenit, ndërsa po vazhdojnë luftimet në terren atje dhe në qytetin port të Adenit, në jug të vendit.

Pasi që kryengritësit morën bazën nga forcat që mbështesin presidentin Abd-Rabbu Mansour Hadi, zona u godit nga një sulm ajror.

Arabia Saudite, shpalli përfundimin e sulmeve njëmuajshe ajrore për pengimin e përparimit të kryengritësve huthi, por tha se përqendrimi i saj për të mbështetur zgjidhjen politike, përfshinë edhe veprimet për të parandaluar kryengritësit që të kapin armët nga ushtria e Jemenit.

Sauditët i dhanë përparësi edhe rifillimit të bisedimeve të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara për Jemenin.

Në një fjalim televiziv nga Arabia Saudite, Hadi tha se kriza në vendin e tij do të përfundojë “së shpejti”. Ai falënderoi koalicionin e udhëhequr nga sauditët dhe tha se qeveria e tij do të rikthejë shpresën tek qytetarët e Jemenit.

Irani, i cili mbështetë huthit, mirëpriti atë që ai e cilësoi si fund të “vrasjes së civilëve të pafajshëm dhe të pambrojtur”, ndërsa e cilësoi veprimin si “një hap drejt zgjidhjes politike”.

Në ndërkohë, presidenti amerikan, Barack Obama, tha të martën se qeveria e tij i ka bërë të qartë Iranit se çdo dërgesë e armëve për huthit, do të jetë “problem.”

“Ne nuk dërgojmë mesazhe të paqarta, ne kemi dërguar mesazhe të drejtpërdrejta për këtë çështje”, tha presidenti Obama në një intervistë në MSNBC.

Aeroplanmbajtësja “USS Theodore Roosevelt”, lundroi drejt Gjirit të Adenit në ujërat e Jemenit të martën për t’iu bashkuar luftanijeve tjera amerikane për të siguruar që linjat e transportit detar të mbeten të hapura.

XS
SM
MD
LG