Lidhje

Shtëpia e Bardhë në Darkën e Korrespondentëve


Kryeqyteti amerikan u bë mbrëmë skenë e luksit, stilit e modës, me rastin e Mbrëmjes së Korrespondentëve, që mbledh në Uashington gazetarë nga grupet mediatike që veprojnë në Uashington, por edhe shumë emra të njohur të Hollivudit e jetës publike amerikane.

Mbrëmja është një traditë e vendosur prej dekadash, kur presidenti i vendit sillet në mënyrë më të çliruar dhe shkëmben thumba me disa prej kritikëve të tij. Presidenti me këtë rast duhet të tregojë sens humori dhe gatishmërinë për t’u tallur pak me veten.

Mbrëmë, presidenti Obama bëri shaka për faktin që shumë vetë thonë se ai mban distancë dhe është natyrë intelektuale që nuk di të bëjë një bisedë të thjeshtë me këdo:

“Njerëzit thonë se jam kapadai, jam arrogant. Më quajnë mendjemadh. Njerëzit janë kaq budallenj. Për këtë arsye s’dua të flas me askënd”.

Tradicionalisht, mbrëmja ka si prezantues një humorist të njohur, këtë radhë këtë nder e kishte humoristja Cicely Strong. Në një prej komenteve, ajo e krahasoi presidentin me artisten Madona: “Të dy ju i keni dhënë shumë vendin. Por ka ardhur koha që pas një viti e gjysëm ta mbyllni me kaq”.

Tradita e mbrëmjes së korrespondentëve filloi me dëshirën për të hapur dyert për shtypin që të kishte qasje më të madhe tek presidenca dhe raportimi i politikave të presidentit. Në ditët tona fondet që grumbullohen nga kjo darkë shërbejnë për të mbështetur me bursa studentë dhe për të dhënë çmime për gazetarë.

XS
SM
MD
LG