Lidhje

Pas tërmetit shkatërrimtar në Nepal


Menjëherë pas tërmetit vdekjeprurës që ka shkaktuar mijëra viktima në Nepal, bota është mobilizuar në mbështetje të popullit të Nepalit. Mesazhet e ngushëllimit kanë ardhur nga udhëheqës politikë e fetarë, ndërkohë që shumë vende po organizojnë gjithashtu dërgimin e ekipeve të shpëtimit dhe pajisjeve të ndihmave.

Gjatë meshës së të dielës, Papa Françesku shprehu solidaritetin me viktimat e tërmetit të fuqishëm. Duke udhëhequr lutjen në sheshin e Shën Pjetrit, Papa u lut për të vdekurit dhe për të zhvendosurit në Nepal, dhe bëri thirrje për ndihma.

“Të dashur vëllezër dhe motra, gjendemi pranë popullit të goditur nga tërmeti në Nepal dhe vendet fqinje. Lutem për viktimat, të plagosurit dhe ata që po vuajnë këtë shkatërrim. Kanë mbështetjen dhe solidaritetin tim vëllazëror.”

Në Japoni, një ekip prej 74 punonjës shpëtimi u nisën drejt Nepalit për t’iu bashkuar misioneve të kërkim-shpëtimit. Sipas Ministrisë së Jashtme japoneze, ekipi përfshin punonjës policie, zjarrfikës, roje bregdetare dhe punonjës ndihmash, si dhe një njësi që do të vlerësojë përmasat e shkatërrimit.

Në Gjermani, një ekip u mblodh me shpejtësi në Frakfurt, dhe u nis drejt Nepalit, nën drejtimin e organizatës së kërkim-shpëtimit ndërkombëtar, ISAR. Ekipi përbëhet nga 52 persona, njësi me qen kërkimi, dhe personel mjekësor.

“Objektivi kryesor për momentin është të gjejmë të mbijetuarit e mbetur nën rrënoja nën këtë periudhë kohore prej rreth 100 orësh. Gjithashtu, duhet të ofrojmë ndihmë mjekësore për të plagosurit në zonën e shkatërruar.”

Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, shprehu ngushëllimet e tij ndaj popullit të Nepalit dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndihmojë

“Mendimet dhe lutjet tona janë me popullin e Nepalit që po përballet me këtë shkatërrim të tmerrshëm. Izraeli po ofron ndihmë. E gjithë bota duhet të ndihmojë njerëzit të rindërtojnë shtëpitë dhe jetët e tyre.”

Kina dërgoi ekipe ndihmash në zonat më të prekura nga tërmeti në Tibet. Punonjësit e ndihmave ishin pjesë e një autokolone kamionësh me ndihma dhe tenda emergjence.

Tërmeti fillestar prej 7.8 ballësh është më i fuqishmi që ka goditur këtë vend të varfër të Azisë jugore në 80 vitet e fundit. Pasojat e tij u ndjenë edhe në Indi, Bangladesh dhe Pakistan.

XS
SM
MD
LG