Lidhje

Amerika dhe marrëveshjet tregtare


Debati po intensifikohet në Shtetet e Bashkuara për dy marrëveshje të rëndësishme tregëtare, një me vendet e Paqësorit dhe një tjetër me Evropën. Marrëveshja me Evropën e njohur si “Partneriteti Transatlantik i Tregëtisë dhe Investimeve” parashikon shkurtimin e tarifave, standartizimin e regulloreve dhe qasje të drejtpërdrejtë për kompanitë amerikane në Evropë.

Megjithë kundërshtimin e fuqishëm nga vetë brenda partisë së presidentit Obama dhe sindikatat që pretendojnë se standartet e sigurimit teknik dhe pagat e punonjësve do të kenë pasoja, mbështetësit e liberalizimit të tregëtisë me Evropën thonë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të mbeten pas.

Në se sheh në Lindje apo Perëndim – mbështetësit e tregëtisë së lirë thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë me shpejtësi për të rimarrë pjesën e tyre në investimet globale. Fatkeqësisht, ka shumë për të bërë, thotë Nancy McLernan, presidente për Organizatën për Investimet Ndërkombëtare.

“Pjesa e Amerikës në investimet globale ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2000, Shtetet e Bashkuara tërhoqën 37 për qind të investimeve të huaja. Sot ato tërheqin rreth 19 për qind.”

Lajmi i mirë është se në pritje të marrëveshjeve të tregëtisë trans-paqësore dhe trans-atlantike investimet e huaja në Shteteve të Bashkuara mund të rriten me 173 miliardë dollarë dhe disa thonë se mund të krijohen 1.4 milion vende pune – gati një e treta e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Por me çfarë kostoje?

Në mitingje këtë javë në Uashington, protestuesit thanë se konkurrenca e re do të ulë pagat. Përveç kësaj ata thonë se gjykatat do t’u japin kompanive të mëdha të drejtën për të anashkaluar ligjet lokale. Stephen Gottlieb është përkrahës i bizneseve të vogla.

“Nga prespektiva ambjentaliste, është shumë keq pasi këto gjykata do të jenë në gjendje të anashkalojnë ligjet tona të ambjentit dhe punës në se shohin përshembull se zonat publike përbëjnë pengesë për përfitimet e tyre.”

Të tjerë thonë se kushtet e propozuara mund të jenë më të këqija për evropianët. Toby Chow drejton një fushatë që mbron punonjësit dhe të drejtat e tyre.

“Në shumë nga këto vende evropiane ata kanë në fakt më shumë mbrojtje për punonjësit dhe për mjedisin nga ato që ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara.”

Por tregëtia është rrugë me dy kalime. Pa një marrëveshje, investitorët do të shohin mundësitë diku gjetkë thotë Pater Fannon, kreu i Korporatës Panasonik për Amerikën e Veriut.

“Panasonik ka mundësinë, si kompani të tjera globale, të investojë në vende të tjera, por nëse zgjedhjet janë të qarta dhe kushdo ka mundësi për tregëti të lirë siç e lejojnë këto marrëveshje, në nivel të arsyeshëm dhe me regulla të përshtatshme – atëherë nuk ka asnjë arsye përse Shtetet e Bashkuara nuk mund të tërheqin më shumë investime të huaja, përfshi nga kompania ime.”

Disa nga kritikat më të ashpra për marrëveshjen e tregëtisë me Evropën janë përqëndruar në fshehtësinë e negociatave. Por zoti Fannon thotë se një projektligj i shpejtë, që pritet të miratohet nga Kongresi do t’i jap publikut 60 ditë kohë për të rishikuar marrëveshjen para se presidenti ta nënshkruaj atë në ligj.

XS
SM
MD
LG