Lidhje

Vizita e Sekretarit Kerry në Kinë


Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, i tha Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, që po viziton Kinën, se vendosmëria e Pekinit për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial është e patundshme dhe e fortë si shkëmbi.

Komenti u bë gjatë një konference për shtyp në Pekin pasi dy kryediplomatët zhvilluan bisedime për një numër çështjesh, përfshirë tregtinë, programin bërthamor të Koresë së Veriut, dhe tensione në ngritje në zona të caktuara të Detit të Kinës së Jugut.

“Shtetet e Bashkuara e kanë thënë se janë të shqetësuara nga shpejtësia dhe përmasat e zgjerimit të territoreve nga Kina, në Detin e Kinës së Jugut. Unë i bëra thirrje Kinës nëpërmjet Ministrit të Jashtëm të ndërmarrë hapa për të bashkëpunuar me të tjerët në uljen e tensioneve dhe rritjen e shanseve për një zgjidhje diplomatike.”

Kina ka përforcuar kërkesat e saj për territore në rajonin e ishujve Spratley, ndër të cilat kanë pretendime Filipinet, Vietnami, Malajzia, Brunei dhe Tajvani. Pas disa komenteve rishtazi të zyrtarëve amerikanë të Departamentit të Mbrojtjes se po shqyrtohet mundësia e dërgimit të anijeve dhe aeroplanëve ushtarakë në zonë për të mbrojtur të drejtën e lundrimit të lirë, Ministria e Jashtme kineze reagoi menjëherë duke e konsideruar si një provokacion. Ministri kinez Wang gjithashtu u shpreh se Kina dhe SHBA duhet të punojmë në drejtime si arritja e një marrëveshjeje dypalëshe për investimet.

Sekretari Kerry do të vazhdojë bisedimet ditën e dielë me Presidentin kinez Xi Jinping, përpara hapjes së punimeve të Dialogut Strategjik dhe Ekonomik këtë vit, dhe një vizite në SHBA të planifikuar në muajin shtator të udhëheqësit kinez.

XS
SM
MD
LG