Lidhje

Deputetit gjerman i ndalohet hyrja në Rusi


Karl-Georg Wellmann
Karl-Georg Wellmann

Deputeti gjerman, Karl-Georg Wellmann, anëtar i partisë Kristian-Demokrate të Kancelares Merkel paralajmëroi se ndalimi i tij për të hyrë në Rusi është një shenjë e përkeqësimit të tensioneve Lindje-Perëndim për shkak të krizës në Ukrainë.

Zoti Wellman, i cili është edhe kryetar i grupit parlamentar Gjermani-Ukrainë, e kishte quajtur Rusinë një vend “luftënxitës” për shkak të mbështetjes së saj ndaj forcave separatiste në Ukrainë. Ai i tha agjensisë së lajmeve Reuters se u mbajt gjithë ditën e dielë në zonën e tranzitit të aeroportit të Moskës dhe u nis për në atdhe mëngjesin e ditës së hënë.

“Mbërrita rreth orës 9 e gjysëm të mbrëmjes dhe më mbajtën tek kontrolli i pasaportave. Pas gati dy orë e gjysëm më thanë se nuk mund të hyja në Rusi deri në vitin 2019, dhe m’u desh të merrja fluturimin e kthimit të nesërmen. Nuk më dhanë shpjegime të mëtejshme.”

Zoti Wellman tha se ai udhëtonte me pasaportë diplomatike dhe kishte planifikuar takime me zyrtarë rusë dhe të ambasadës gjermane. Ai mendon se qeveria gjermane duhet të shqetësohet nga sinjali i dërguar nëpërmjet këtij ndalimi.

“Ky nuk ishte thjesht një veprim ndaj meje personalisht. Më refuzuan hyrjen duke qenë anëtar i koalicionit qeverisës në Gjermani. Këtu sfidohet i gjithë parlamenti gjerman.”

Qeveria gjermane i dorëzoi një notë proteste autoriteteve ruse në Moskë, si dhe ambasadorit rus në Berlin. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme gjermane e konsideroi ndalimin “të pakuptimtë dhe të papranueshëm” dhe tha se Gjermania pret që të anulohet.

Ministria e jashtme ruse refuzoi të komentojë për çështjen. Në muajin shtator të vitit të kaluar bashkë-kryetarja e të gjelbërve në Parlamentin Evropian, Rebecca Harms, njoftoi se i ishte ndaluar hyrja në Rusi, dhe se beson se emri i saj ndodhet në një listë sekrete personash që kanë hartuar autoritetet ruse për t’u refuzuar hyrjen në vend.

Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Gjermanisë, të cilat kanë tregti dhe lidhje energjitike prej miliarda dollarësh, kanë arritur një pikë të ulët për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.

XS
SM
MD
LG