Lidhje

Maqedonia emëron dy drejtues të lartë të sigurisë


Qeveria e Maqedonisë emëroi të martën dy drejtorë të rinj në postet e sigurisë. Pas dorëheqjes së Sasho Mijallkovit dy javë më parë nga posti i drejtorit të shërbimit sekret, qeveria ka emëruar në këtë post Lupço Andonovskin, i cili deri tani ishte shef i kundërzbulimit për rajonin e Shkupit.

Qeveria ka emëruar gjithashtu Gorançe Savevskin si drejtor të sigurinë publike, pas largimit të Mitko Çavkovit, i cili mori detyrën e ministrit të Punëve të Brendëshme.

Ndryshimet bëhen në klimën e krizës që ka përfshirë Maqedoninë për shkak të skandalit të përgjimeve dhe ngjarjeve të përgjakshme në Kumanovë.

Ish-shefi i sigurimit Sasho Mijallkov, i cili ka lidhje të ngushta familjare me kryeministrin Nikolla Gruevski, shihet si figurë e debatueshme, me një histori jo të qartë në veprimtaritë e tij të biznesit. Emri i tij është një nga më të përfolurit në skandalin e përgjimeve.

Ndërkohë, katër drejtuesit e partive më të mëdha në vend, nuk arritën ndonjë marrëveshje as të martën, për t’i dhënë fund krizës.

Nikolla Gruevski, kryeministër dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate të opozitës informuan kryetarët e dy pative shqiptare, Ali Ahmetin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Menduh Thaçin e Partisë Demokratike Shqiptare, si dhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së Jess Baily dhe Aivo Orav lidhur me takimin që mbajtën në Strasburg para pak ditësh me tre deputetë të Parlamentit Evropian, me Komisionerin e BE-së Johanes Hahn.

Por, asnjë hollësi tjetër nuk ka dalë nga takimi i katër drejtuesve politikë. Ata do të mbajnë një raund të ri bisedimesh nga fillimi i javës së ardhshme.

Opozita maqedonase ngul këmbë për dorëheqjen e kryeministrit Gruevski dhe për formimin e një qeverie të përkohshme, një kërkesë e papranueshme për zotin Gruevski dhe partinë e tij.

XS
SM
MD
LG