Lidhje

Kumanova, Mustafa takohet me Gruevskin


Kryeministri i Kosovës: Biseduam për nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë në mënyrë që të parandalojmë cdo situatë në të ardhmen

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa pati sot në një bisedë me kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski në Tiranë ku të dy morën pjesë në “Vienna Economic Forum” së bashku me udhëheqës të tjerë të Ballkanit perëndimor. Zoti Mustafa deklaroi se ishte folur për ngjarjet e Kumanovës

"Biseduam lidhur me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Maqedoni dhe nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë mes organeve tona të Punëve të Brendshme dhe të Maqedonisë në mënyrë që të parandalojmë cdo situatë në të ardhmen. Dhe ne u zotuam se këtë do ta bëjmë e po ashtu folëm dhe për zbatimin e kritereve ndërkombëtare përsa i përket trajtimit të të burgosurve që janë atje", deklaroi ai pas takimit.

Kryeministri Mustafa shpjegoi se Kosova ka kërkuar të bëhet dhe një hetim ndërkombëtar sepse, një hetim i tillë, tha ai, "do të jetë shumë më neutral dhe do të japë rezultate të dobishme dhe për Maqedoninë e Kosovën".

Nga ana e tij kryeministri maqedonas nuk preferoi të jepte asnjë deklaratë. Ai pati një takim dhe me kryeministrin Edi Rama, rreth të cilit nuk ka patur asnjë njoftim. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj ngjarjeve të Kumanovës. Në fjalën e tij gjatë forumit, zoti Gruevski theksoi se sipas tij “udhëheqësitë politik të rajonit duhet të jenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm në deklaratat dhe mesazhet sepse pjesa më e madhe e qytetarëve i ndjekin ato dhe cdo mesazh i dhënë në mënyrën jo të duhur mund të shkaktojë ndjesi negative të cilat do të ishte e vështirë më pas të zgjidheshin".

XS
SM
MD
LG