Lidhje

Analizë e re për zbulimin e viruseve


Çdo virus mund të zbulohet duke analizuar një pikë gjaku. Jessica Berman e Zërit të Amerikës njofton mbi një analizë të re që u tregon mjekëve historinë e infeksioneve virale në të kaluarën, që mund të sjellin sëmundje më serioze në të ardhmen.

Analiza e re e gjakut, e quajtur VirScan, zbulon mbi 1000 variacione të ndryshme virale në virome, grup i madh i viruseve që mund të infektojnë njerëzit.

Dr. Stephen Elledge në spitalin Brigam Gratë dhe në shkollën mjekësore të Harvardit në Boston, Massachusetts, thotë se analiza gjenetike, që kërkon vetëm një pikë të vetme gjaku, u tregon mjekëve nëse pacienti është ekspozuar ndaj viruseve të dëmshëm.

Për shembull, njerëzit mund të jenë infektuar prej vitesh me hepatit C që mund të shkatërrojë mëlçinë, duke çuar në kancer.

"HIV është një tjetër virus, problemet e të cilit fillojnë të dalin me vonesë. Dhe kur shihni problemin, virusi është bërë shumë më i rrezikshëm."

Tani ekzistojnë trajtime që kurojnë hepatitin dhe shpëtojnë jetën e pacientëve me HIV. Duke ditur nëse dikush është i infektuar me një virus të dëmshëm vite më parë, trajtimet mund të fillojnë më herët.

Për të kryer VirScanin, shkencëtarët përdorën mostra gjaku nga 600 persona në Shtetet e Bashkuara, Peru, Afrikën e Jugut dhe Tajlandë.

Ata gjetën se njerëzit në çdo vend kanë qenë të infektuar me një grup të veçantë të rreth 10 viruseve.

Tani për tani, mjekët mund të përdorin një analizë të vetme për të zbuluar një virus të vetëm, dhe kjo është vetëm nëse dyshojnë për një infeksion të veçantë.

Dr. Eledge thotë se VirScan bën të mundur të shihet ndikimi në shëndet i kombinimeve të viruseve.

"Ndoshta disa prej tyre mund të zbulojnë dëmtimet në zemrën tuaj. Kjo nuk ka qenë e mundur më parë. Pra, në vërtetë, kjo analizë e re nuk dihet se çfarë të mirash të tjera do të sjellë."

Dr. Elledge thotë se VirScan mund të përdoret gjithashtu për të përcaktuar burimin e kushteve më të ndërlikuar, si viruset të cilat shkaktojnë sëmundje autoimune të diabetit dhe lupus.

XS
SM
MD
LG