Lidhje

Pas dështimit të bisedimeve për borxhin e Greqisë


Komisioni Evropian është i gatshëm të angazhohet në bisedime të mëtejshme me Greqinë nëse do të ketë propozime të reja prej Athinës. Ndërkohë që Greqia ndodhet edhe më afër një falimentimi të mundshëm, presidenti i Parlamentit Evropian mendon se është ende e mundur arritja e një marrëveshjeje.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian Margaritis Schinas tha sot gjatë një konference për shtyp se kërkesat e kreditorëve janë të vlefshme, ndërkohë që Komisioni është i gatshëm të organizojë një tjetër raund bisedimesh mes tyre dhe Greqisë.

“Presidenti Juncker është i zhgënjyer që megjithë përpjekjet e tij intensive nuk është arritur përparim. Megjithatë ne jemi të gatshëm, në se do të ketë nmdonjë nismë të re, për të ndihmuar si ndërmjetës në bisedimeve.”

Ky koment u bë një ditë pasi bisedimet ndërmjet Greqisë dhe kreditorëve të saj ndërkombëtarë u mbyllën pa sukses, ndërkohë që Greqia i është afruar më shumë një falimentimi financiar që do të rrezikonte edhe të ardhmen e Euros.

Po sot, Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, i tha agjensisë së lajmeve Reuters se një marrëveshje me Greqinë është jo vetëm e domosdoshme, por edhe e arritshme.

“Mendoj se duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur largimin e Greqisë nga Euro. Nëse nuk do t’ia arrijmë dot, atëherë mendoj se grekët mbi të gjithë do të paguajnë një çmim të rëndë, pasi vendi i tyre do të zhytet në varfëri pas vetëm pak javësh, një varfëri që do të jetë shumë më dramatike nga ajo e tanishmja. Po kështu, dëmi për ekonominë evropiane do të jetë i pallogaritshëm.”

Zoti Schulz gjithashtu kritikoi qeverinë e Athinës se “nuk kupton që po vendos popullin e saj në një situatë të vështirë” dhe shtoi se ministri grek i financave Varoufakis “nuk duhet të shëtisë nëpër Evropë për të mbajtur fjalime të mëdha, por duhet të bëjë detyrat e shtëpisë në Athinë”.

XS
SM
MD
LG