Lidhje

NATO diskuton strategjinë ndaj Rusisë


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter u takua sot me homologët e tij të NATO-s në Bruksel për të diskutuar mbi planet për t’u përgjigjur ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Aleanca nuk do të hyjë në një garë armatimesh të stilit të Luftës së Ftohtë me Rusinë. Ai i tha gazetarëve se NATO duhet t'i modernizojë kapacitetet ushtarake, me qëllim që të mbrojë vendet anëtare.

Ai i bëri këto komente pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ashton Carter njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin rreth 250 tanke, si dhe armatime të tjera dhe pajisje ushtarake në gjashtë vende të Evropës Lindore, anëtare të NATO-s.

Zoti Stoltenberg tha se e kishte mbështetur këtë vendim të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e armatimeve dhe ndihmën ushtarake ndaj Estonisë, Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Polonisë.

Në hapje të takimit dy-ditor të aaleancës, Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg tha se në qendër të takimit është forcimi i mbrojtjes kolektive të NATO-s, që po ndeshet me sfida të reja të sigurisë.

“Unë pres që ne do të rrisim fuqinë dhe aftësinë e Forcës së Reagimit të Shpejtë të NATO-s përfshirë aftësitë e saj ajrore, detare, përfshirjen e forcave speciale. Në përgjithësi ne presim që kjo forcë të arrijë në 40 mijë trupa. Kjo është një rritje e ndjeshme në krahasim me nivelin e mëparshëm prej 13 mijë trupash. Ne gjithashtu do të përmirësojmë planifikimet tona të avancuara dhe do të përshpejtojmë vendim-marrjen politike dhe ushtarake. Kjo do të na mundësojë të dislokojmë forcat tona me shpejtësi kur të kemi nevojë”.

Në komentet që bëri dje në kryeqytetin e Estonisë, Talin, zoti Carter tha se Perëndimi nuk synon të bëhet armik i Rusisë, por nëse është e nevojshme do të vetëmbrohet.

Javën e kaluar, Presidenti Vladimir Putin deklaroi se Rusia do të shtonte mbi 40 raketa balistike ndërkontinentale në arsenalin e saj bërthamor të vitit 2015. Zoti Stoltenberg tha sot se NATO nuk është e interesuar për të hyrë në një garë armatimesh me Rusinë.

“Ne nuk do të tërhiqemi në një garë armatimesh, por ne duhet të kujdesemi për sigurinë e vendeve tona. Ne gjithashtu do të punojmë ngushtë me partnerët tanë për ta ruajtur sigurinë rreth NATOs”.

Pasi Rusia aneksoi Krimenë vitin që kaloi, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord të shtojnë stërvitjet ushtarake në Evropën Lindore dhe mbajnë atje paisje ushtarake për t’u përdorur në rast urgjence.

XS
SM
MD
LG