Lidhje

Raporti i DASH për Kosovën: sfidat


Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë gjatë vitit 2014 përmban edhe pjesën për Kosovën. Në vijim, një përmbledhje e çështjeve kryesore.

Raporti vë në dukje se gjatë vitit 2014 ka vazhduar Dialogu i Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për çështje si menaxhimi i kufijve, doganat, tatimet, lëvizjen e lirë, njohja reciproke e diplomave, përfaqësimi dhe bashkëpunimi rajonal, përfshirja e ish-forcës policori të ministrisë së brendshme serbe në policinë e Kosovës, zgjedhjet, rrjetet e transmetimit energjitik, regjistrat civilë dhe të dhënat e kadastrave. Strukturat administrative në veri të Kosovës u integruan pjesërisht me administratën kombëtare, ndërkohë që mbeten në pritje marrëveshjet për Shoqatën e Bashkive Serve, telekomunikacionit dhe integrimin e sistemit të drejtësisë.

Problemi më i madh i të drejtave të njeriut konsiderohen veprime të caktuara për të bllokuar normalizimin, si p.sh. vendosja e barrikadave në Mitrovicë nga zyrtarë lokalë serbë të Kosovës, si dhe kufizimi i të drejtave të lirisë së lëvizjes dhe të lirisë së besimit të pelegrinëve të kishës ortodokse serbe.

Aspekti i dytë më shqetësues është dhuna sociale dhe diskriminimi ndaj minoriteteve etnike, personave me aftësi të kufizuara, anëtarët e komuniteteve lezbike, gei, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT).

Problemi i tretë që theksohet është dhuna në familje ndaj grave.

Kosova pati edhe probleme të tjera me të drejtat e njeriut, si p.sh. dhunë policore të ushtruar ndaj personave nën arrest, kushte të këqija fizike në burgje, korrupsion në sistemin e burgjeve dhe periudha të gjata paraburgimi dhe paefektshmëri të gjyqësorit, intimidim të mediave nga zyrtarët publikë dhe elementë kriminalë, kufizime në lirinë e besimit dhe vandalizim i pronave fetare, progres të kufizuar në rikthimin e personave të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, trafikimi i qenieve njerëzore, kushte të dobëta në objektet e kujdesit për shëndetin mendor, tensione sporadike etnike, dhe punësim të të miturve.

Megjithë hapat e ndërmarrë nga qeveria për të hetuar dhe ndëshkuar zyrtarët abuzues në shërbimet e sigurisë ose gjetiu në qeveri, nga shumë njerëz mendohet se zyrtarë të lartë u përfshinë në korrupsion pa u ndëshkuar.

Raporti përmend vrasjet në muajin janar të Dimitrije Janicijevic, anëtar i asamblesë komunale të Mitrovicës, dhe në muajin qershor të Elvis Pista, kandidat për parlament në Rahovec. Gjithashtu, autoritetet kryen gjatë vitit arrestime në lidhje me vrasjen e vitit 2011 të oficerit të policisë Enver Zymberi, dhe fillimin e proçesit përkatës gjyqësor. Në muajin maj EULEX-i arrestoi për terrorizëm dy të dyshuar për vrasjen në vitin 2004 të një oficeri të UNMIK-ut dhe të një oficeri të policisë gjatë trazirave të shqiptarëve të Kosovës që protestuan kundër serbëve të Kosovës. Në muajin korrik një prokuror i task-forcës së posaçme hetimore njoftoi se ka prova të mjaftushme për të ngritur akuza ndaj disa ish-zyrtarë të lartë të ish-UÇK-së për krime lufte dhe për krime ndaj njerëzimit të kryera në vitin 1999. Për ngritjen e akuzave pritet ngritja e një gjykate të posaçme, siç parashikohet në dokumentat që zgjasin mandatin e EULEX-it. Ndërkohë, EULEX dhe prokurorët vendas vazhduan të hetojnë raste të konfliktit 1999-2000. Deri në muajin tetor, zyra e prokurorit të posaçëm po hetonte 164 raste krime lufte, prej të cilave për 130 raste hetimi drejtohet nga EULEX-i dhe 34 nga prokurorë vendas. Raporti përmend gjithashtu arrestimin e Oliver Ivanovic dhe katër personave të tjerë për krime të kryera në 1999-2000, të cilët vazhdojnë të jenë në proçes gjyqësor për krime lufte. Në muajt maj dhe qershor, u arrestuan 17 anëtarë të ashtuquajturit grupi Drenica, ish-anëtarë të UÇK-së, me akuza për vrasje dhe terrorizëm. Ndër të arrestuarit janë zyrtarë të lartë qeveritarë me lidhje të ngushta me PDK-në. EULEX-i gjithashtu ngriti akuza për intimidim të dëshmitarëve dhe shkelje të sekretit hetimor ndaj gazetarit të RTK-së, Milaim Zeka. Në muajin shtator, anëtari i parlamentit Fatmir Limaj dhe nëntë persona të tjerë u paraqitën në Gjykatën e Apelit pasi prokurorët e EULEX-it apeluan shfajësimin e tyre të shtatorit 2013 në lidhje me krime lufte të kryera në vitin 1999. Në tetor dhe në nëntor disa serbë të Kosovës u shpallën të pafajshëm për krime të ndryshme lufte, dhe një gjykatës i EULEX-it u citua të jetë shprehur se shkaku ishte dështimi i hetimit të duhur.

Sipas Kryqit të Kuq, deri në muajin nëntor, numri i personave të zhdukur gjatë konfliktit 1998-99, ishte 1655, nga të cilët mendohet se 70% janë shqiptarë të Kosovës dhe 30% serbë të Kosovës dhe minoritete të tjera. Në muajt gusht-shtator, EULEX-i mori eshtrat e 52 personave tl zhvarrosur nga një varr masiv në Raska, të Serbisë, dhe prokuroria serbe urdhëroi gërmime të reja në ish-stacion policor në një lagje të Beogradit, ku janë gjetur më parë eshtrat e 900 shqiptarëve të Kosovës. Një verifikim i kryer në një fshat të Gjakovës, në prani të ekspertëve të EULEX-it dhe të qeverisë së Serbisë, rezultoi negativ për prani eshtrash.

Raporti njofton për rritje të përgjithshme të keqtrajtimit fizik dhe verbal të të burgosurve në burgun e Dubravës, dhe se pavarësisht arritjes së standarteve ndërkombëtare, shumë burgje vazhdojnë të kenë probleme domethënëse. Gjithashtu, qendra të paraburgimit, si në Gjilan dhe në Prishtinë, nuk plotësojnë standardet minimale, dhe ku të paraburgosurit, përfshirë gra dhe të mitur, qëndrojnë së bashku.

Sistemi hetimor dhe gjyqësor vazhdon të përjetojë përpjekje për të inflencuar proçeset, ndërkohë që korrupsioni ka vazhduar të jetë i përhapur dhe sistemi gjyqësor të jetë në përgjithësi i paefektshëm, me më shumë se 100 mijë raste në pritje gjykimi, 100 mijë të tjera në pritje ekzekutimi vendimesh, dhe 200 mijë të tjera në pritje vendimi.

Individë të ndryshëm, zyrtarë publikë, politikanë dhe biznesmenë u përpoqën gjatë vitit të frikësojnë përfaqësuesit e mediave, ndërkohë që mediat patën vështirësi të merrnin informacion nga qeveria. Vazhdoi të ketë raste dhune ndaj gazetarëve, si plagosja me thikë në muajin tetor e një gazetari të Klan Kosova TV, apo plagosja në muajin qershor e tre gazetarëve të AFP-së dhe një gazetari të Koha Ditore gjatë protestave në Mitrovicë. Autoritetet vazhduan të hetojnë kërcënime të raportuara ndaj gazetarëve kritikë ndaj islamit radikal.

Raporti përmend gjithashtu çështjen shqetësuese të të zhvendosurve, dhe njofton se deri në muajin se gjatë vitit ishin rikthyer 440 persona në Kosovë, ndërkohë që buxheti i caktuar për strehimin e tyre konsiderohet i pamjaftueshëm.

Kosova vazhdon të jetë pikë tranziti për azilkërkues, ndërkohë që në gjysmën e parë të vitit 2014 u ripranuan 2147 azilkërkuesish të deportuar nga Evropa Perëndimore.

Zgjedhjet e 8 qershorit vlerësohen se patën nivelin më të ulët të manipulimeve që nga pavarësia e Kosovës. Në përgjithësi, niveli i përfaqësimit të grave dhe minoriteteve mbetet nën nivelin e duhur në pozicione vendimmarrëse të strukturave lokale, dhe se gjithashtu nuk janë shpërbërë krejtësisht institucione paralele të paligjshme në enklavat me popullsi serbe. Në përgjithësi, minoritetet përballen me nivele të ndryshme diskriminimi institucional dhe shoqëror për sa i përket punësimit, shërbimeve sociale, përdorimit të gjuhës, lirisë së lëvizjes etj. Rastet e dhunës ndaj serbëve të rikthyer kanë vazhduar. Romët e Kosovës, dhe komunitetet ashkali dhe egjiptiane e vuajnë më shumë këtë diskriminim, dhe madje shpesh nuk kanë akses në kushte bazë higjienike, në kujdes shëndetësor, dhe në arsim.

XS
SM
MD
LG